Shefja e Onkologjikut në QSUT, Silvana Çeliku, është në detyrë kundër ligjit. Këtë fakt e ka treguar gazetari Osman Stafa, i cili ka publikuar në rrjetet sociale një vendim gjykate, përmes së cilit thuhet se Silvana Çeliku, e ka marrë titullin Profesor i Asociuar në kundërshtim me ligjin.
Denoncimi i gazetarit Osman Stafa:
SHEFJA E ONKOLOGJIKUT, SILVANA ÇELIKU, NË DETYRË NË KUNDËRSHTIM ME LIGJIN
Znj. Çeliku në 2021, duhet të dilte në pension. Por kjo nuk ndodhi, pasi shumë afër ditës së pensionimit të saj, ajo merr një titull: “Profesor i Asociuar”. Ky titull i dha mundësinë asaj, të qëndronte ende në punë dhe të emërohej Shefe e Onkologjikut.
Një mjek tjetër i Onkologjikut, Helidon Nini bën padi në Gjykatë, me argumentin se ky titull, i është dhënë në kundërshtim me ligjin.
Gjykata ka arritur në konkluzionet:
1. Dekani i Fakultetit të Mjekësisë nuk i ka përcjellë Departamentit të Kirurgjisë dosjen e kandidates Silvana Çeliku për titullin akademik “Profesor i asociuar”, në shkelje të ligjit për arsimin e lartë dhe Rregullores së UMT-së.
2. Departamenti i Kirurgjisë nuk është njohur me dosjen e aplikantes, nuk është mbledhur asnjëherë për ta shqyrtuar aplikimin dhe nuk ka asnjë vendimmarrje lidhur me të.
3. Drejtuesi i Departamentit të Kirurgjisë, bashkëshorti i Silvana Çeliku, në konflikt të pastër interesi, ka marrë pjesë në procedurën për dhënien e titullit “Profesor i Asociuar” bashkëshortes së tij.
4. Drejtuesi i Departamentit nuk ka njoftuar anëtarët e Departamentit për aplikimin, nuk ka thirrur asnjë mbledhje apo të ketë kërkuar marrjen e një vendimi, por në shkelje të detyrimeve ligjore, ka caktuar një komision të posaçëm për të vlerësuar dosjen e bashkëshortes së tij.
5. Nisur nga shkeljet e rënda proceduriale, Gjykata ka vendosur konstatimin e pavlefshmërisë absolute të vendimit për dhënien e titullit akademik “Profesor i asociuar” dhe heqjen e këtij titulli zonjës Silvana Çeliku.
Pra znj. Çeliku është në atë detyrë vetëm si pasojë e atij titulli, që Gjykata e Shkallës së Parë, ia ka hequr, pasi vlerëson se është marrë në kundërshtim me ligjin dhe në konflikt interesi.
A është kjo arsyeja se pse znj. Çeliku, nuk flet për mungesën e ilaçeve kimio, të cilat nëse nuk jepen sipas protokollit nuk kanë asnjë vlerë për pacientin?
A është kjo arsyeja, marrja e një titulli në mënyrë të padrejtë, që shefja e onkos, të relativizojë skandalet e atij pavioni?
p.s Unë nuk kam asnjë lloj njohje personale me Silvana Çelikun as me Helidon Ninin. As kam pasur të bëj dhe uroj që asnjëherë të mos të kem të bëj me të dy. Me emrin e znj. Çeliku jam njohur për herë të parë në Dosjen “Onkologjiku” dhe për herë të dytë në Komisionin e Shëndetësisë, ku ajo raportoi për skandalin.
Gjithë këto kohë ende nuk kam arritur të jap një përgjigje pyetjes: Si ka mundësi të bëj ato deklarata, ku ndër më skandalozet ishte; “mungesa ka pasur edhe do ketë”?
Si mund të flasë një shefe kështu? Në vend që ajo të ngrejë kujën se ilaçet kimio mungojnë, ajo relativizion çdo gjë.
Më bëri shumë përshtypje, sesi mbronte një sistem (Onkologjikun), i cili në momentin që ajo po fliste mungonin 4 medikamente shumë të rëndësishme. (Gemcitabina, irinotekani, erlotinib, paxlitacel).
Më besoni, unë kurrë nuk do të shkruaj për një mjek, veçse kur ka vendime gjykate, apo kur bëjnë deklarata skandaloze, duke mbrojtur të pavërtetën, në dëm të pacientit.
Jam me të gjithë ata mjekë të cilët punojnë ndershmërisht, e duan këtë vend dhe duan të bëjnë më mirë për shëndetësinë shqiptare.