Gjykata e Posaçme ka shkuar masën e sigurisë “pezullim të ushtrimit të detyrës apo funksioneve publike për ish-kryebashkiaken e Patosit dhe ish-prefekten e Fierit, Rajomnda Balilaj.
Kjo e fundit ishte pezulluar nga detyra pasi SPAK po e heton për shkelje të barazisë në tendera dhe falsifikim të dokumenteve.
Masa e pezullimit ishte dhënë ndaj saj, në cilësinë e ish-kryetares së Bashkisë Patos dhe 2 anëtarëve të komisionit të vlerësimit të ofertave. Ndaj një tjetër anëtari të komisionit të vlerësimit të ofertave, ish-drejtorit në Drejtorinë e Monitorimit dhe Shërbimeve Publike, një ish-inxhinieri pranë Bashkisë Patos dhe një specialiste urbaniste, është dhënë masa e sigurisë detyrim paraqitje.
Sipas SPAK rezulton se ish-Kryetarja e Bashkisë Patos dhe anëtarët e KVO-së A. P. (ish Nënkryetare e Bashkisë Patos), Sh. B. dhe E. R., në bashkëpunim mes tyre, kanë konsumuar elementët e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, parashikuar nga nenet 258 (para ndryshimeve me ligjin nr. 43/2021 ), e 25 të Kodit Penal, duke favorizuar në kundërshtim me ligjin, dhe shpallur fitues operatorin ekonomik “G……. 001”, në procedurën e prokurimit “Ndërtim emergjent i murit mbajtës me gabiona dhe gurë në Dukas-Breg, si pasojë e rrëshqitjes së tokës dhe kthimin e rrugës në gjendjen e mëparshme”, me numër REF-89301-03-08-2021. Nga dokumentacioni i dorëzuar nga ofertuesit, e parë kjo në raport me kriteret e vendosura në Dokumentet Standarte të Tenderit, duhej të ishte shpallur fitues operatori ekonomik “2…”, i cili përveçse përmbushte kushtet, kishte dhe ofertë në vlerën 1,5 milion lekë më të vogël se operatori “G….. 001”.
“E hetuara R. B., ka ndërmarrë një sërë hapash nëpërmjet punonjësve të Bashkisë, për të legjimituar anulimin e procedurës së tenderimit, pikërisht për të mos u shpallur fitues operatori “2…..” gjë që do të nxirrte zbuluar punimet e kryera nga operatori i paracaktuar për të fituar garën. Nga hetimi u provua se e hetuara ka paracaktuar fituesin e këtij tenderi, pikërisht operatorin “G……. 001”, i cili është shpallur fitues (që nga viti 2019, kur ky subjekt është regjistruar për herë të parë në QKB deri në vitin 2022, pra për tre vjet) në 32 procedura të organizuara nga Bashkia Patos.
– Kurse anëtarët e grupit të punës të ngarkuar nga ish Kryetarja e Bashkisë, me anë të urdhërit Nr.27, datë 08.04.2021, shtetasit V. N., B. M. dhe A. M., kanë përgatitur raportin teknik inspektimi Nr.997/2 Prot., datë 08.04.2021, ku kanë dalë në mënyrë unanime, në konkluzionin si më poshtë: “Pavarësisht se nuk është mbajtur dokumentacioni i nevojshëm për ndërtimin e mureve mbajtëse, muret mbajtëse të ndërtuara kanë shërbyer për pengimin e avancimit të shkarjes së dheut. Grupi i punës është i mendimit që kthimi i terrenit në gjendjen e mëparshme do të sillte pasoja, dhe ngjarje të papritura në këtë shkarje, dhe nuk do të rekomandonte bërjen e këtyre punimeve. Kostoja e kthimit në gjendje e mëparshme dhe ribërja e të njëjtave punime do të ishte e rrezikshme. Për pjesën e paasfaltuar të rrugës dhe të kanalit në anën e sipërme, grupi i punës rekomandon një periudhë monitorimi të situatës në vend për të parë rezultatet e qëndrueshmërisë së ndërtimit të këtyre mureve mbajtëse. Rekomandojmë edhe monitorimin e prurjeve të ujërave nëntokësore dhe hartimin e një projekti për largimin e tyre nga ky plan shkarjeje”. Këta të hetuar, kanë konsumuar elementët e veprës penale të “Falsifikimit të dokumenteve”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 186/2, i Kodit Penal, pasi kanë paraqitur rrethana të rreme në këto konkluzione, të cilat rrëzohen nga akti i ekspertimit të kryer nga Prokuroria e Posaçme, dhe po ashtu dhe deklarimet e shtetasit e I. D..
II. Hetimi i procedurës së prokurimit me objekt “Ndërtim emergjent i murit mbajtës në trupin e rrugës në fshatin Ruzhdie, si pasojë e rrëshqitjes së tokës dhe kthim i rrugës në gjendjen e mëparshme”, me numër reference REF-86952-02-12-2021, me Autoritet Kontraktor Bashkia Patos, në vlerën 8,634,380.435 lekë.
Nga analizimi i provave është krijuar dyshimi i arsyeshëm se të hetuarit, R. B. më detyrë ish Kryetare e Bashkisë Patos, në bashkëpunim me anëtarët e KVO -së, të hetuarit A. P. (ish Nënkryetare e Bashkisë Patos), Sh. B. dhe E. R., kanë konsumuar elementët e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, parashikuar nga neni 258 (përpara ndryshimeve me ligjin nr. 43/2021 ), e 25 të Kodit Penal, duke favorizuar në kundërshtim me ligjin dhe shpallur fitues operatorin ekonomik “G…… 001”, në procedurën “Ndërtim emergjent i murit mbajtës në trupin e rrugës në fshatin Ruzhdie si pasojë e rrëshqitjes së tokës dhe kthim i rrugës në gjendjen e mëparshme”, me numër reference REF-86952-02-12-2021, dhe praktika e ndjekjes së punimeve dhe praktika e marrjes në dorëzim të objektit.
Në këtë procedurë prokurimi, me Autoritet Kontraktor Bashkia Patos, ish Kryetarja e Bashkisë Patos, R. B., ka paracaktuar fituesin i cili është i njëjti operator “G……. 001”, duke dalë në “Apollon TV” dhe informuar fillimin e punimeve për këtë rrugë, në datën 06.02.2021, në një kohë kur shpallja e fituesit “G……. 001” është bërë në datën 15.02.2021, dhe lidhja e kontratës me autoritetin kontraktor është bërë në datën 16.02.2021.
Ish Kryetarja e Bashkisë, ka bashkëpunuar me anëtarët e KVO-së të caktuar prej saj, në urdhrin përkatës, pasi ajo nuk kishte nga ta dinte se ky operator do të kualifikohej si fitues edhe pse ishte i vetmi garues në garë. Në këtë mënyre nga tërësia e elementëve objektive dalin edhe ato subjektive, pra bashkëpunimi i saj me anëtarët e KVO-së , pasi edhe këta të fundit kanë shpallur fitues operatorin “G…… 001” , edhe pse nga hetimi ka rezultuar se ky operator nuk i plotësonte të gjitha kriteret dhe dokumentacionin sipas DST dhe duhej skualifikuar.