Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergey Lavrov, sërish e ka përdorur Kosovën për ta kritikuar qasjen e Perëndimit për luftën në Ukrainë dhe mosnjohjen e “referendumit” në Krime në vitin 2014.
Lavrovi ka thënë se Rusia nuk ka iluzione për qasjen e vendeve perëndimore ndaj zgjidhjes së krizës ukrainase, pasi siç thotë ai, duhet kujtuar se Perëndimi “duartrokiti” kur Kosova u shkëput pa referendum dhe se nuk zbatoi të njëjtën qasje për Krimenë.
“Në vitin 2014, Krimea mbajti referendum të hapur, transparent me praninë e vëzhguesve të shumtë ndërkombëtarë dhe Perëndimi i hodhi poshtë ato rezultate, duke thënë se ishte shkelur parimi i integritetit territorial. Megjithatë, kur më parë Kosova u shkëput pa asnjë referendum, Perëndimi duartrokiti dhe në të njëjtën kohë e orkestruan atë shkëputje, duke thënë se në këtë mënyrë shqiptarët e Kosovës e realizuan parimin e vetëvendosjes së popullit. Pra, këtu nuk kemi iluzione se si do të vazhdojë të veprojë Perëndimi”, ka thënë ai të shtunën, transmeton “Sputnik”.
Lavrovi përmendi Kartën e OKB-së, duke thënë se sipas saj të gjithë janë të detyruar të respektojnë integritetin territorial të shteteve, qeveritë e të cilave respektojnë të drejtën e popullit për vetëvendosje.
“Për ta përmendur faktin se pas ardhjes në pushtet të klikës naziste në shkurt të vitit 2014 dhe pasi thanë se do ta heqin statusin e gjuhës ruse kur dërguan bandat e armatosura për të sulmuar parlamentin e Krimesë – do të thotë se këta njerëz nuk mund ta përfaqësonin popullsinë e Krimesë dhe të Ukrainës juglindore, kështu që ligji ndërkombëtar këtu përshkruan shumë qartë se si duhet të interpretohet një situatë e caktuar. Perëndimi ndjek rregullat e veta”, ka deklaruar ministri rus.