I nxehti përvëlues mbërthen vendin, autoritetet paralajmërojnë qytetarët: Javën e ardhshme priten temperatura ekstreme

I nxehti ekstrem do të na shoqërojë edhe këtë javë, ku sipas shërbimit Meteorologjik Ushtarak, ditët në vijim do të karakterizohen nga temperatura tepër të larta si në vlerat maksimale, ashtu dhe ato minimale.

Vala e të nxehtit pritet të zgjasë deri në fund të javës dhe temperaturat maksimale pritet të mbërrijnë në 43 gradë Celsius.

Sipas ekspertëve temperaturat, mund të ndihen edhe më të larta për shkak se depërtimi masave të nxehta mbi detin Mesdhe, bën që ato të mbartin me vete një sasi të lartë lagështire.

Edhe vlerat minimale nuk do të zbresin më poshtë se 26-27 gradë në zonat urbane, duke bërë që për ditët në vijim vendi të përjetojë fenomenin e netëve tropikale.

Vendi ynë prej javësh tashmë po përjeton temperatura të larta dhe mjekët kanë bërë thirrje që qytetarët, veçanërisht ata me sëmundje kronike të bëjnë kujdes dhe të shmangin daljet përgjatë orëve të pikut.

Temperaturat e larta kanë rritur rrezikun edhe për zjarre. Sipas tabelës së Institutit të Gjeoshkencave, niveli më i lartë i rrezikut për zjarr është në të gjithë qarkun e Fierit, ndërsa i lartë rreziku mbetet edhe nё zona tё lokalizuara të Korçës, Vlorës e Gjirokastrës.