Babai i Lamine Yamal: “Ai është një fëmijë dhe ka një bekim nga Zoti!”

Mounir Nasraoui, babai i sulmuesit të Barcelonës dhe kombëtares spanjole, Lamine Yamal, tha këtë të enjte se e dinte që djali i tij “do të bëhej yll” që nga momenti i lindjes.

“E dija për djalin tim që kur lindi, e dija se do të bëhej yll. Kushdo që është baba, e di këtë dhe çdo baba dëshiron që djali i tij të jetë më i miri,”- tha ai në një deklaratë për media të ndryshme nga Lagjja Rocafonda në Mataró (Barcelonë).

Nasraoui shpjegoi se Lamine është “euforik” me kalimin e skuadrës spanjole në finalen e Eurokupës. “Ai dëshiron të jetë lojtari më i ri që fiton një kampionat evropian, si çdo fëmijë”, shtoi ai.

Babai i ndërkombëtarit spanjol siguroi se për të, djali i tij është “më i miri në gjithçka”. “Jo vetëm në futboll, por edhe në dashuri dhe si njeri. Ai është një fëmijë dhe ka një bekim nga Zoti, i cili është shumë i rëndësishëm dhe duhet vlerësuar”,- ka komentuar ai.

Nasraoui, i cili do të fluturojë për në Gjermani të shtunën për të parë finalen e së dielës kundër Anglisë, zbuloi se po i jeton sukseset e djalit të tij dhe kombëtares “me lumturi dhe gëzim” dhe theksoi se ndihet krenar për të gjithë lojtarët. “Shpresoj që ata të fitojnë Eurokupën dhe ne të gjithë të bëhemi kampionë”,- shtoi ai.

Së fundi, babai i Lamine Yamal lavdëroi Rocafondën, lagjen që djali i tij e ka popullarizuar duke festuar golat e tij duke vizatuar me gishta një ‘304’, shifrat e fundit të kodit të tij postar (08304).

“Kjo lagje është më e mira në botë dhe në Spanjë, sepse ne të gjithë jemi të barabartë dhe e duam njëri-tjetrin njëlloj. Olé Rocafonda 304, një referencë për të gjithë,” festoi ai.


Shtuar 11.07.2024 16:42