Policia ka vënë në pranga dy të rinj, pasi gjatë një kontrolli në automjetin me të cilin udhëtonin janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 900 gramë lëndë narkotike e dyshuar cannabis sativa dhe një shumë parash.
Njoftimi i Policisë:
Sarandë
Vijon puna për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve.
U kapën duke qarkulluar me lëndë narkotike në mjet, bien në pranga 2 shtetas.
Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative se disa shtetas po qarkullonin me lëndë narkotike në mjet, shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë organizuan punën dhe në fshatin Metoq, Sarandë, kanë identifikuar mjetin e dyshuar dhe kanë bërë të mundur ndalimin e tij.
Gjatë kontrollit të automjetit tip “Audi”, me drejtues shtetasin F. K., dhe pasagjer shtetasin D. M., janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 900 gramë lëndë narkotike e dyshuar cannabis sativa dhe një shumë parash.
Në vijim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve F. K., 27 vjeç dhe D. M., 26 vjeç, të dy banues në Sarandë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.
Materialet hetimore u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Sarandë, për veprime të mëtejshme./albeu.com