Protesta/ Berisha: 11 korriku është dita në të cilën ne shqiptarët ngrihemi dhe ju tregojmë botës se jemi shumica e tij

Kryetari i PD Sali Berisha nga dritarja e banesës së tij, ku ndodhet në arrest shtëpie, tha se shqiptarët duhet të ngrihen në protestën e datës 11 korrik 2024.

Berisha theksoi se Partia Demokratike kërkon qeveri teknike dhe zgjedhje të lira.

“Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta, ju qëndrestareve e qëndrestarëve, misionarëve të pamposhtur të kauzës së drejtë, kauzës së dinjitetit, lirisë, shpresës dhe të ardhmes së shqiptarëve.

Ju përshëndes me mirënjohje të pakufishme ju oratorë të kësaj platforme që përcillni çdo natë te shqiptarët të vërtetat që përpiqet të ua fsheh censura qeveritare.

Të dashur miq!

Në historinë e lëvizjes demokratike të PD-së dhe opozitës shqiptare, 11 korriku shënon një datë të një rëndësie të jashtëzakonshme. Me 11 korrik shqiptarët e zemëruar, shqiptarët e revoltuar dalin në shesh për dinjitetin e tyre.

Dalin në shesh për atdhetarinë e tyre.

Dalin në shesh për tu përballur me regjimin më armiqësor që kanë pasur ndonjëherë përballë.

Dalin në shesh për tu përballë me armikun më të rrezikshëm, më të pashpirtë të kombit shqiptar, që po boshatis, po zbras Shqipërinë nga shqiptarët, si asnjë pushtues në histori.

Dalin në shesh si shpresa e fundit për Shqipërinë dhe shqiptarët, si shpresa e fundit për një komb që po pakësohet çdo ditë e më shumë.

Dalin në shesh për një komb që po vidhet, si asnjë komb tjetër në Europë dhe botë.

Dalin në shesh kundër një diktature të bazuar në aleancën e krimit, me krimin, drogën dhe vjedhjen e qytetarëve, e cila ka konfiskuar votën e tyre, ka konfiskuar lirinë e tyre.

Dalin në shesh përballë një njeriu, Edi Ramës, i cili me firmat e tij fap, fap, fap, e paf, paf, paf, ju vodhi shqiptarëve jo qindramilionë, por të kemi parasysh dhe portin e Durrësit, miliarda e miliarda euro.

Ndërtoi në Shqipëri një sistem në të cilin, zyrtarë dhe qeveritarë në të gjitha nivelet, ndajnë paratë publike të vjedhura me familjarët e tyre.

Ndajnë pasuritë publike njëri me tjetrin, kurse shqiptarëve u lënë rrugët e botës.

Ndaj dhe 11 korriku është dita në të cilën ne shqiptarët ngrihemi dhe ju tregojmë kombit dhe botës se jemi shumica e tij. Se jemi shpresa e tij. Se jemi të vendosur në një betejë pa kthim për qeveri teknike, zgjedhje të lira, fitore të opozitës”, tha Berisha.


Shtuar 7.07.2024 20:34