Vetëm 2 vite te Barcelona dhe ka arritur të fitojë 2 trofe. Bomberi polak, Robert Lewandowski, po kalon një moment fantastik te Katalanasit.
Ditën e sotme, ai ka refuzuar një tjetër ofertë nga Arabia Saudite, duke mos e menduar aspak largimin nga gjigantët spanjollë të futbollit.
Sipas raportimeve më të fundit nga mediat spanjolle, sulmuesi polak ka marrë sërish një ofertë “stratosferike” nga Arabia Saudite.
Megjithatë, veterani polak i sulmit e ka refuzuar ofertën dhe nuk ka në plan të largohet nga “blaugranat” para përfundimit të kontratës së tij, e cila skadon më 30 qershor të vitit 2026.
Ndërkaq, kujtojmë se në sezonin e parë te Barcelona, Lewandowski ka arritur të çojë topin plot 33 herë në rrjetë dhe të asistojë shokët e tij në 8 raste, në 46 përballjet e zhvilluara në të gjitha kompeticionet ku spanjollët ishin pjesëmarrës.
Ndërsa këtë sezon, ai ka arritur të shënojë plot 25 gola dhe të regjistrojë 9 asistime në 48 sfida.