Një ngjarje e rëndë u shënua mesditën e sotme para dyerve të SPAK, ku një 63-vjeçar tentoi ti jap jetës ditën e sotme duke konsumuar fostoksinë.
Pal Trashaj 63 vjeç si dhe shumë qytetarë të tjerë shqiptarë është viktimë e mikrokredive. Jo shumë kohë më parë përmbarimi i kishte sekuestruar pronën në këmbim të shlyerjes së kredisë.
Trashaj pretendonte se e kishte paguar kredinë, dhe kishte ardhur para SPAK për t’u takuar me Altin Dumanin për t’i ofruar një zgjidhje, pasi më herët policia dhe Prokuroria e Tiranës nuk kishin pranuar për t’i marrë denoncimin në lidhje me ankesën që ai kishte.
Në dëshpërim për të gjetur të vërtetën, ai nuk ka lënë “derë pa trokitur” e për të kërkuar një zgjidhje për problemin e tij.
Madje, Trashaj më herët Kryetar i Forumit për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore teksa kërkonte drejtësi shprehej se ishte i gatshëm të bënte burg, nëse rezultonte se denoncimet që kishte bërë për mikrokedinë nuk rezultonin të vërteta.
Prej disa kohësh tashmë neësbomb.al ka trajtuar skemën e mashtrimit që ngritën disa zyrtarë ku zhvatnin qytetarët shqiptarë.
Në maj të këtij viti u “zbërthye” skema e mirëfilltë mashtrimi përmes mikrokredive që çoi në pranga 8 persona, për disa u dha masa arrest me burg, e për të tjerë masa arrest shtëpie. Ndërkohë një tjetër u shpall në kërkim.
Masa “arrest në burg” u dha për Aldo Dakën, Albert Gegën, Edomnd Maton, Arben Meskutin, si dhe Alban Kote i shpallur në kërkim.
Ndërsa, për Kejda Seferin, Elda Ibron, Alketa Tanushin dhe Jordisa Dervishin u dha masa “arrest në shtëpi”.
Të gjithë akuzohen për mashtrimin e qytetarëve bazuar në një skemë mashtrimi, pothuajse e ngjashme me ato piramidale, ndërsa vlera llogaritet në 7 mln euro.
Subjektet mashtruese në këtë veprimtari, sipas dosjes së Prokurorisë, janë: Micro Credit Albania, ADCA, SHP Zig, FS dhe FLASH. Ndërkohë që personat ndaj të cilëve janë caktuar masat e sigurisë arrest me burg janë: Aldo Daka, Albert Gega, Edmond Mato, Arben Meskuti.
Revista Neësbomb.al në janar i kushtoi një investigim të plotë kësaj skeme mashtruese që bën biznes me ëndrrat e të varfërve, që tregon sesi kanë lulëzuar nën hijen e Bankës së Shqipërisë dhe të qeverisë shqiptare, skemat financiare të mikrokredive, të ndihmuara dhe nga disa shoqëri përmbarimore.
Një pjesë e bankave që shisnin një sasi të kredive me probleme te kompanitë e mbledhjes së borxheve, një ndër to dhe Micro Credit Albania, nuk u interesua asnjëherë për fatin e kreditorëve.
Ajo që nisi fillimisht si një biznes i drejtë për të mbledhur detyrimin që disa individë kishin pranë bankave të nivelit të dytë, nisi dalëngadalë të kthehej në një skemë grabitqare dhe me synimin për tu pasuruar në kurriz të të pamundurve. Kompanitë e mbledhjes së borxhit blenë për 8 deri në 10% të vlerës një total prej rreth 100 mijë kontratash kredish të këqija, dhe aty ku u gjetën debitorë, nuk u kursyen t’i vendosin detyrime të larta përtej vlerave që lejon ligji.
Micro Credit Albania ka vijuar biznesin duke i vendosur qindra debitorëve një penalitet 30% mbi vlerën e detyrimit bashkë me interesin dhe jo të principalit, siç sanksionon rregullorja e Bankës së Shqipërisë. Për të gjetur shpëtim, kreditorët e këqinj janë udhëzuar nga zyrat e përmbarimit të kontraktuara nga MCA që të lidhin një aktmarrëveshje për shlyerjen e borxhit bashkë me penalitete.
Debitorët kur janë përballur me bllokimin e pagave, makinave dhe të gjithë të ardhurave që kishin janë detyruar të pranojnë marrëveshjen, por kanë pyetur se ku mund të marrin paratë. Përmbaruesi i ka rekomanduar lidhjen e një kontrate huaje, dhe paratë do të shkonin më pas në llogarinë e MCA. Njëherë kredi bashkë me interesin e saj nga një kreditor i keq, dhe sërish kredi për një kreditor të keq, kjo e dyta me interes më vete.
Kredia nuk lëshohej nga banka, por personi që lidhte marrëveshjen shoqërohej në sportel nga një punonjës i MCA i cili lëshonte një çek që thyhej nga sportelisti i bankës. Ministria e Drejtësisë ka identifikuar raste ku kreditorët e këqinj janë detyruar të lidhin deri në 3 herë kontrata të reja kredie, të cilat kapin vlerë deri në 2, 3 apo 4 herë më të lartë se detyrimi fillestar, por paratë nuk janë prekur asnjëherë me dorë nga kreditori me përjashtim të kredisë së parë, të gjitha janë arkëtuar nga MCA.
Kjo skemë nisi duke u facilituar nga sportelet bankat e nivelit të dytë, por më pas Microcredit Albania aplikon për t’u pajisur me licencë si institucion financiar që lejohet të japë kredi. Këtu biznesi nisi të lulëzonte. Tashmë debitorët e lidhin kontratën e kredisë me vetë MCA disa herë dhe vlera e detyrimeve që ata paguanin kalonte disa herë paratë që kishin marrë kredi dikur në bankë. Familjet e pamundura varfëroheshin dhe fitimet e MCA dhe disa përmbaruesve vetëm shtoheshin.
Bllokimi i llogarive me vlerë 10 milionë euro
Prokuroria e Tiranës sekuestroi llogari bankare në vlerë 10 milion euro të administratorëve që u përfshinë në skemën e mashtrimit të kredive. Paratë i përkisnin 10 personave dhe tre subjekteve, ‘MCA”, “ADCA” dhe ‘Final’ shpk.
Sipas prokurorëve, një masë e tillë ka qenë e nevojshme pasi “ekziston rreziku që vlerat monetare në llogaritë e tyre, të cilat dyshohen si produkt i veprimtarisë kriminale, të transferohen apo të fshihen”.
Në njoftim, shpjegohej se personat dhe kompanitë ”kanë vlera të konsiderueshme parash në lekë dhe valutë të huaj të depozituara në banka të nivelit të dytë si dhe obligacione të ndryshme. Për to, ka dyshime se gjatë ushtrimit të aktivitetit, kanë blerë kredi të këqija në banka, dhe kanë detyruar qytetarët të marrin kredi të reja për të shlyer të parat, duke u bllokuar këtyre të fundit pasuritë dhe pagat, në raport të zhdrejtë me vlerën e kredive të akorduara”.
Pas këtij skandali Banka i Shqipërisë njoftoi se i kishte revokuar menjëherë licencat e shoqërisë Micro Credit Albania dhe Final.