Një 24-vjeçar shqiptar, i arrestuar në muajin prill gjatë një operacioni anti-kanabis në Durham, është dënuar me 18 muaj burg.
Sipas mediave britanike, Jeton Metollari u kap brenda banesës që ishte kthyer në një fermë kanabisi. Gjatë aksionit në banesë u gjetën më shumë se 200 bimë kanabisi të cilat në treg, arrinin vlerën e pothuajse 174,000 £.
Metollari ishte fshehur në një vrimë në mur ndërsa policia po ushtronte kontroll, në një moment ai doli dhe u dorëzua. Gjithashtu gjatë aksionit të policisë në banesë u gjetën sasi të mëdha ushqimesh, alkool dhe produkte të tjera ushqimore, mesa duket për të siguruar një qëndrim të gjatë brenda.
Ndërsa në telefonin e 24-vjeçarit u gjetën video që tregonin se si mbillet dhe kultivohet kanabisi. Autoritetet e Home Office do të vendosin nëse do të dëbohet pas burgut.