Eksperti i arsimit Ndriçim Mehmeti, në një intervistë televizive ka folur rreth provimeve të maturës, si dhe për nivelin e dobët të rezultateve, ku sipas tij, ka cilësi të dobët mësimdhënie.
Rezultatet e provimit të gjuhës së huaj të Maturës Shtetërore, tregojnë një rritje të ndjeshme të nxënësve mbetës. 952 nuk kanë mundur të kalojnë provimin, 568 më shumë se vitin e kaluar.
Po ashtu, krahasuar më vitin 2023, mesatarja ka qënë 7.68, ndërsa këtë vit është ulur në 7.25.
Rezultatet kanë nxjerrë në pah edhe rënien të numrit të ekselentëve, pasi këtë vit rezultuan ekselentë në gjuhën e huaj vetëm 119 maturantë, teksa vitin e kaluar ishin 1043 maturantë me notën maksimale në këtë provim.
Eksperti i arsimit, Ndriçim Mehmeti, thotë se rezultatet e fundit tregojnë mënyrën si është menaxhuar procesi mësimor gjatë pandemisë.
Sipas tij, rezultate të tilla janë alarmante për një vend që synon rritjen e turizmit dhe përfshirjen në projekte europiane.
“Ka cilësi të dobët të mësimdhënies, sepse mësues ekspertë të gjiuhëve të huaja afrohen gjithnjë e më pak te shkolla për shkak të pagës së ulët. Kjo tregon qartë se ndonëse mburremi se dimë gjuhë të huaja, të rinjtë tanë nuk dinë një gjuhë të huaj të strukturuar. Kur dolën tezat u tha që ishin të thjeshta, por sot kjo nuk qëndron justifikimi që nuk janë korrigjuar mirë. Këto rezultate na nxjerrin zbuluar për mënyrën si e kemi menaxhuar mësimin gjatë pandemisë. Ministria e Arsimit këtë vit bëri edhe teste pilot. Pra nuk kishte pse të vihej në këtë situatë. Pra kjo tregon se ne këto rezultate kemi, nuk kemi çfarë kërkojmë më shumë. Në një vend që kërkojmë rritje të turizmit, synojmë projekte të Bashkimit Europian, jemi në këtë situatë me gjuhën e huaj. Ne jemi shumë dobët. Sipas një studimi të BB para disa viteve, ne ishim të fundit në Ballkan për gjuhën e huaj në mënyrë të strukturuar. Nuk është gjuhë e huaj kur përdorim celularin dhe njohim ikonat e saj”,–tha Mehmeti.
Gjithashtu, eksperti i arsimit shprehet se është e domosdoshme një analizë e thellë, që jep një përgjigje të qartë për arsyet që kanë çuar në rënien e rezultateve.
“Ja ku jemi sot, nuk jemi mirë. Sa është rënia në notës gjatë viteve, kjo mbetet për t’u parë. Pse nuk bën njeri një analizë si ka dalë gjuha e huaj në klasën e nëntë dhe në të dymbëdhjetën. Nëse nuk je mirë në të nëntën, nuk mund të jesh as në të dymbëdhjetën. Ne këtë anlizë nuk e kemi bërë. Nuk dimë ku jemi, cilat janë vështirësitë dhe ku çedojmë më shumë. Ne mjaftohemi me këtë fakt dhe flasim kur ndodhin pasojat, por nuk gjurmojmë shkakun. Kjo duket, rënia e arsimit që shkon drejt një situate gati kaotike.
952 nxënës në një lëndë të detyruar. Vendoset në klasën e tretë dhe mbaron në klasën e dymbëdhjetë. Pra nëntë vite. Gjuha angleze është gjuhë ndërkombëtare. Ne duhej t’i kishim përgatitur nxënësit të paktën në dy gjuhë. Ne në një gjuhë dhe nuk i kemi të saktë”, – shpjegoi Mehmeti.