Tentuan të shisnin në treg 80 mijë euro të vjedhura në banka të BE-së, 2 të arrestuar në Durrës

Taulant Demerxhiu dhe Vladimir Kokomani janë arrestuar nga policia e Durrësit pasi tentuan të shisnin në treg një shumë eurosh të dyshuara të vjedhura në banka të shteteve të BE-së.

Policia ka sekuestruar 80 mijë euro.

Në njoftimin zyrtar të policisë thuhet se pas finalizimit të operacionit “Suspicion”, u bë arrestimi i shtetasve  Taulant Demerxhiu 33 vjeç, banues në Fushë Krujë dhe Vladimir Kokomani 43 vjeç, banues në fshatin Ardhishte, Shijak.

Në fshatin Ardhishte, në automjetin me të cilin lëviznin këta shtetas, shërbimet e Policisë gjetën 80 000 euro që dyshohet se janë vjedhur në banka të shteteve të BE-së, me qëllim shitjen në tregun e brendshëm.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Përvetësimi i parave ose mallrave që rrjedhin nga vepra penale ose veprimtaria kriminale”.