Në Bruksel për të shtatën me herë me radhë kryenegociatorët e të Kosovës dhe Serbisë dështuan të arrijnë një marrëveshje lidhur me përdorimin e dinarit serb për pagesa me para në dorë. Pas takimit të fundit me 25 maj, i dërguari evropian për bisedimet mes palëve Miroslav Lajçak, tha se u ka paraqitur palëve një dokument kompromisi në një përpjekje për të tejkaluar dallimet, por pa dhënë hollësi se për çfarë propozimi bëhet fjalë. Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë akuzuan njëri tjetrin për dështimin e bisedimeve.
Rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës, e cila hyri në fuqi me 1 shkurt, përcakton se euroja është valuta e vetme që mund të përdoret për pagesa të gatshme në Kosovë. Rregullorja nxiti reagimin e zemëruar të Beogradit, dhe shqetësimet e diplomacisë perëndimore për ndikimin e saj në jetën e serbëve të Kosovës që vazhdojnë të mbështeten financiarisht nga Beogradi.
Diplomatët i kanë bërë thirrje qeverisë së Kosovës të pezullojë rregulloren dhe t’u jepet kohë qytetarëve të prekur për t’u përshtatur me situatën e re. Çështja e dinarit është shndërruar edhe në temë mospajtimesh mes qeverisë në Prishtinë dhe diplomacisë perëndimore.
Marrë nga VOA