Vrasja e efektivit në Fier, reagon ish-kreu i Policisë Gledis Nano

Në një postim në “Facebook”, ish-kreu i Policisë së Shtetit, Gledis Nano, ka reaguar për vrasjen e efektivit të “Shqiponjave”, Novruz Cenalia, pas një sherri banal për parakalimin.

Nano shprehet se kjo tragjedi shërben si këmbanë alarmi, për rreziqet që po përballen çdo ditë efektivët e rendit.

Më tej, ish-kreu i Policisë së Shtetit shprehet se çdo efektiv meriton të kthehet në shtëpi, shëndoshë e mirë.

“Tragjedia e fundit në fshatin Baltëz të Fierit shërben si kujtesë e fortë e rreziqeve me të cilat përballen çdo ditë efektivët e rendit. Një punonjës policie i forcave “Shqiponja” humbi jetën, duke lënë pas një familje të pikëlluar, kolegë dhe një komunitet në zi.

Çdo anëtar i këtij komuniteti meriton të ndihet i sigurt dhe çdo oficer meriton të kthehet në shtëpi.

Ngjarje si kjo japin shembull për të rritur ndërgjegjësimin për sfidat me të cilat përballet forca policore dhe rëndësinë e sigurimit të burimeve dhe mbështetjes që u nevojiten për të mbrojtur dhe për t’i shërbyer komunitetit tonë në mënyrë efektive”.


Shtuar 14.05.2024 15:08