Dosja “5D”/ Opozita sërish në protestë para Bashkisë së Tiranës, ja masat e policisë

Këtë të martë në orën 11:00, do të mbahet protesta e radhës e opozitës para Bashkisë Tiranë, që kërkojnë dorëheqjen e kryebashkiakut Erion Veliaj, pas dosjes korruptive “5D”.

Shefi i Organizimit në Partinë Demokratike, Klevis Balliu, së bashku me të deleguarin politik të Tiranës, Belind Këlliçi, kanë ngjitur gjatë ditës së djeshme në autobusë të ndryshëm në Tiranë posterin ku kërkojnë dorëheqjen e kryetarit të bashkisë, Erion Veliaj.

Posterat janë ngjitur edhe nëpër pika të ndryshme nëpër qytet, si dhe në tabelat e afishimit të reklamave të ndryshme.

Rikujtojmë se protestat e kaluara janë shoqëruar me tensione të shumta, ku është hedhur edhe molotov në drejtim të godinës së bashkisë.

Ndërkohë javën e kaluar, kreu i Bashkisë Tiranë Erion Veliaj, u pyet për 7 orë në SPAK për aferën e inceneratorëve. Pasi doli nga ambientet e Prokurorisë së Posaçme, Veliaj tha se kishte kërkuar prej kohësh një takim me prokurorët e SPAK, duke i cilësuar ata si koleg dhe bashkëpunëtor.

Por në një reagim, kreu i SPAK Altin Dumani përgënjeshtroi Veliajn, duke thënë se kryebashkiakut i ishte dërguar një fletë-thirrje që më datë 24 prill.

MASAT E POLICISË:

Policia e Shtetit bën me dije se, ka marrë masa organizative dhe operacionale për garantimin e rendit publik dhe sigurisë gjatë zhvillimit të një tubimi të kërkuar nga “Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit”, ditën e sotme, 7 maj 2024, ora 10:00, pranë Bashkisë së Tiranës.

Në zbatim të planit të masave, Policia e Shtetit njofton se, sot, prej orës 09:30 e në vijim, do të ketë bllokim të përkohshëm të qarkullimit të mjeteve, në bulevardin kryesor pranë Bashkisë së Tiranës. Për këtë arsye sugjerojmë që të përdoren rrugë alternative, deri në përfundim të tubimit, si Unaza e Mesme dhe Unaza e Madhe.

Gjatë disa tubimeve të mëparshme, të zhvilluara nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, në sheshin para Bashkisë Tiranë, janë evidentuar raste të përsëritura të kundërshtimit të forcave të policisë, përdorimit dhe hedhjes së molotovëve e sendeve të tjera, në drejtim të Bashkisë Tiranë, duke rrezikuar seriozisht jetën dhe shëndetin e punonjësve të policisë dhe vetë pjesëmarrësve në tubime.

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë respekton plotësisht të drejtën e qytetarëve për të organizuar dhe marrë pjesë në tubime paqësore.

Policia u përsërit thirrjen organizatorëve, drejtuesve dhe pjesëmarrësve në tubime për të respektuar ligjin dhe për t’u distancuar nga çdo akt dhune.