Vrasja e dy të moshuarve në Dropull/ Balliu: Alarm për sigurinë në vend, policia mashë që mbron trafikantët

Anëtari i Kryesisë së selisë blu Klevis Balliu, deklaroi se vrasja e djeshme e dy të moshuarve në Dropull, është alarm për sigurinë në vend.

Ai tha se policia është kthyer në një mashë të pushtetit që mbron trafikantët.

Sipas Balliut, Partia Demokratike, bën një dallim mes policëve të ndershëm dhe të shiturve te krimi, por përgjegjësi i vërtetë në këtë dramë që luhet në kurriz të shqiptarëve nuk janë asnjëra palë, por ministri i bandave dhe shefi i tij që e ka kthyer Shqipërinë në republikë të narkotrafikut dhe të pasigurisë.

DEKLARATA:

Dy të moshuar janë vrarë në shtëpinë e tyre në Dropull një nga zonat më të qeta, më joproblematike për sigurinë dhe rendin në Shqipëri.

Duke u shprehur ngushëllime familjarëve dhe të afërmve, Partia Demokratike ngre alarmin për gjendjen e rendit dhe të sigurisë në vend.

Policia e Shtetit, e kthyer në mashë pushteti, nuk e kontrollon territorin për dy arsye:

Ajo angazhohet nga ministri i saj kumbar i bandave në përndjekjen dhe monitorimin e protestave dhe aktiviteteve të opozitës, dhe pjesën tjetër të kohës mbron krerët e bandave dhe kriminelët, teksa transportojnë drogë, kontrabandojnë mallra dhe bëjnë trafik qeniesh njerëzore.

Është një polici që grupet e gatshme anti-krim dhe për sigurinë e qytetarëve i ka vënë në dispozicion të krimit dhe politikës që e mbron këtë krim dhe përfiton nga paktet me të.

Vrasja e dy të moshuarve në Dropull, përtej humbjes së dy jetëve është alarm për komandën e bandave përgjatë gjithë shtrirjes gjeografike të Shqipërisë.

Nga Vermoshi në Dropull, stacionet e Policisë janë shndërruar në rojtare të parcelave me kanabis, ngarkesave me kokainë, pastrimit të parave, trafikut të qenieve njerëzore, prostitucionit, e me radhë.

Partia Demokratike bën një dallim mes policëve të ndershëm dhe të shiturve te krimi, por përgjegjësi i vërtetë në këtë dramë që luhet në kurriz të shqiptarëve nuk janë asnjëra palë, por ministri i bandave dhe shefi i tij që e ka kthyer Shqipërinë në republikë të narkotrafikut dhe të pasigurisë.

I bëjmë thirrje policisë të të largohet nga mbrojtja e hajdutëve në bashki dhe trafikantëve në qeveri dhe t’i kthehet detyrës, mbrojtjes së qytetarit.

I bëjmë thirrje policëve të ndershëm që të martën t’u kthejnë shpinën atyre që i paguajnë me 500 euro në muaj dhe për vete zhvasin miliona, dhe të bëhen me protestuesit.


Shtuar 3.05.2024 14:02