Pas përfundimit të fakultetit, qeveria ka miratuar ndryshimet për bllokimin e diplomës të studentëve të “Mjekësisë”. Pas rrëzimit të nismës së parë prej Gjykatës Kushtetuese, për të gjithë ata që do të kryejnë studimet falas, do të duhet të punojnë tre vite me detyrim në spitalet shqiptare.
Ndërsa për ata që do t’i kapë ky ligj në vitin e tretë, detyrimin do ta kenë 2 vite e të tjerët nga një vit.
Vetëm pas kësaj periudhe, do të kenë mundësi që të zhvendosen me punë jashtë shtetit shqiptar.
Paralelisht me këtë, projektligji parashikon edhe punësimin e shpejtë në institucionet e shëndetësisë.
Brenda 3 muajve nga përfundimi i studimeve, ministria duhet t’i firmosë vendin e punës.
Por në rast se brenda kësaj periudhë, jo për shkak të punëmarrësit, nuk realizohet detyrimi do t’i jepet 80 për qind e pagës së mjekut për një afat 9 mujor.
Më tej, thuhet se nëse sërish nuk realizohet marrja në punë, studentit i hiqet kushti i mbajtjes së ngrirë të diplomës.
Ligji do të zbatohet nisur nga Viti Akademik 2024 e deri në 2029-ën.
Por sa u përket të rinjve që do të pranojnë të paguajnë faturën e studimeve kushti i punësimit me detyrim hiqet, ndërsa tarifa do të vendoset nga vetë universiteti.
Gjykata Kushtetuese, e rrëzoi në 25 janar projektin e parë të qeverisë që shkaktoi dhe protesta të studentëve.
Ndërkohë pas kësaj kanë reaguar edhe studentët e mjekësisë.
Deklaratë me shkrim:
U informuam nëpërmjet mediave në lidhje me një projektligj të draftuar nga Ministria e Arsimit për ndryshimin e ligjit nr. 60/2023.
Shprehim keqardhjen dhe indinjatën në lidhje me faktin që pavarësisht përpjekjeve tona, u injoruam për të dytën herë radhazi në procesin e hartimit të projektligjit.
Duke pasur parasysh shkeljen e afatit të lënë prej Gjykatës Kushtetuese dhe mosplotësimin e boshllëkut ligjor në lidhje me kriteret për punësim, jemi duke u konsultuar me ekipin ligjor për të ndërmarrë gjithë hapat e nevojshme gjyqësore dhe kushtetuese.
Çdo përpjekje për të na injoruar në vazhdim, do të marrë përgjigjjen tonë në çdo formë, ashtu si një vit më parë.