VOA: Trump, Orban synojnë të drejtojnë lëvizjen konservatore ndërkombëtare

Ish-presidenti Donald Trump thotë se është i gatshëm të ripërtërijë aleancën me kryeministrin e Hungarisë, Viktor Orban, nëse fiton zgjedhjet në nëntor. Kandidati i pritshëm për president i Partisë Republikane i bëri komentet në një fjalim drejtuar konferencës së konservatorëve CPAC që mbahej këtë radhë në Budapest. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Henry Ridgwell, analistët thonë se zoti Orban synon krijimin e një lëvizjeje konservatore globale që do të arrijë rezultate të suksesshme gjatë votimeve të rëndësishme që mbahen këtë vit në mbarë botën.

Konferenca e Veprimit Politik Konservator (CPAC) ka qenë prej kohësh një forcë e fuqishme në politikën e djathtë amerikane. Ajo është shtrirë tashmë përtej Atlantikut. Për të tretin vit radhazi, Hungaria u bë vendi organizator i aktivitetit “CPAC Europe”.

Kryeministri hungarez Viktor Orban, organizatori dhe folësi kryesor në këtë aktivitet tha se konservatorët kanë shansin për të marrë pushtetin në një vit të rëndësishëm zgjedhor.

“Ta bëjmë Amerikën sërish madhështore, ta bëjmë Evropën sërish madhështore! Përpara Donald Trump, përpara mbrojtësit e sovranitetit evropian!”, u tha pjesëmarrësve zoti Orban.

Zoti Orban pretendoi pa paraqitur ndonjë provë se forcat liberale po përpiqen ta heshtin të djathtën.

“Këtë po e bëjnë me konservatorët në kryeqytetet progresive liberale evropiane. E njëjta gjë po ndodh në Shtetet e Bashkuara ku nëpërmjet vendimeve të gjykatave duan ta heqin presidentin Donald Trump nga fletëvotimi”, tha zoti Orban.

Në një fjalim të regjistruar paraprakisht drejtuar kësaj konference, zoti Trump u shpreh të premten se ishte i gatshëm të ripërtërinte aleancën me zotin Orban.

“Për sa kohë qëndrojmë të bashkuar në vizionin tonë, me vërtetësi ndaj parimeve tona dhe me guximin për të mbrojtur vlerat tona, konservatorët do ta fitojnë betejën për ta shpëtuar civilizimin tonë nga komunistët, marksistët dhe fashistët dhe për t’ia rikthyer botës qeverisjen e konservatorizmit dhe arsyen”, tha ish-presidenti Trump.

Kritikët e zotit Orban e akuzojnë atë për hapat pas të demokracisë në Hungari.

“Orbani ka ambicien që të ndryshojë tematikat. Pra, ai nuk është thjesht dikush që i intereson të qëndrojë në pushtet, por ai dëshiron të ketë ndikim tek klima ideologjike. Dhe ai mendon se duke mbështetur parti të caktuara miqësore, qeveri, klube intelektualësh dhe iniciativa, ai do të shfaqet si udhëheqës i lëvizjes konservatore dhe se kështu mund të balancohet fakti se ai urrehet nga rrymat kryesore në Evropë dhe demokracitë liberale”, thotë Zsolt Enyedi, nga Universiteti Qendror Evropian.

Në konferencë e konservatorëve CPAC foli edhe kryeministri gjeorgjian Irakli Kobakhidze, i cili përballet me protesta kundër qeverisë në vendin e tij.

“Në këto momente, ai po e kthen vendin e tij gjithnjë e më shumë drejt Rusisë, duke u përpjekur në një mënyrë që t’i kthejë shpinën Bashkimi Evropian. Është interesante që ai mirëpritet në një klub që supozohet të mbrojë interesat e Perëndimit. Pra, këto lloj aleancash strategjike mundësohen pasi ata të gjithë flasin gjuhën e luftërave kulturore”, thotë zoti Enyedi.

Megjithëse partitë e djathta pritet të kenë rezultate të mira gjatë zgjedhjeve evropiane të qershorit, partia Fidesz e zotit Orban po përballet me një krizë ekonomike, të shoqëruar me një seri skandalesh politike.

Zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara do të mbahen më 5 nëntor. Anketimet sugjerojnë se do të jetë një garë e ngushtë mes ish-presidentit Trump dhe presidentit Biden./VOA


Shtuar 28.04.2024 17:37

Tags: ,