Referendumi për kryetarët në veri/ Osmani: Qytetarët nuk e shfrytëzuan këtë mundësi, për shkak të presionit nga Beogradi!

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka reaguar pas mbylljes së qendrave te votimit në veri në lidhje me referendumin në komunat veriore. Osmani përmes një postimi në Facebook, ka thënë se Kosova i dha qytetarëve të komunave të veriut mundësinë që t’i largojnë kryetarët aktual dhe t’i zgjedhin kryetarët e rinj.

Ajo më tej shkruan se qytetarët në masë të madhe nuk e shfytëzuan për shkak të presionit nga Beogradi përmes Listës Serbe. Osmani më tej shkruan se Vuçiçi shkeli fjalën që ua kishte dhënë partnerëve ndërkombëtarë.

“Qytetarët në masë të madhe nuk e shfrytëzuan këtë mundësi. Për fat të keq, kjo kryesisht ndodhi për shkak të presionit të Beogradit, të ekzekutuar nga Lista Serbe dhe strukturat ilegale kriminale. Edhe njëherë, Serbia kreu ndërhyrje të paligjshme në një proces zgjedhor të një shteti tjetër. Edhe njëherë, Vuçiqi shkeli fjalën që ua kishte dhënë partnerëve ndërkombëtarë,” shkuan ajo.

Osmani më tej shkruan se gjatë këtij procesi Kosova sërish dëshmoi maturi, organizim e respektim të plotë të ligjeve e kushtetutës, duke ju ofruar të gjitha komuniteteve, pa dallim, mundësinë që ata të zgjedhin vetë se kush dëshirojnë t’i përfaqësojë.

“Por, Kosova sërish dëshmoi maturi, organizim e respektim të plotë të ligjeve e kushtetutës, duke ju ofruar të gjitha komuniteteve, pa dallim, mundësinë që ata të zgjedhin vetë se kush dëshirojnë t’i përfaqësojë. E falënderoj Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, institucionet tona të sigurisë, si dhe partnerët tanë për punën, përkushtimin dhe bashkëpunimin. Me organizimin e procesit të sotëm, Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet e kërkuara nga BE-ja. Masat e padrejta kundër Kosovës duhet të hiqen menjëherë”, ka shkruar Osmani.


Shtuar 21.04.2024 20:15