Altin Dumani hedh poshtë deklaratat e Ilir Metës: S’e kam njohur kurrë McGonigal, akuza të pabaza ndaj meje dhe SPAK

Mbrëmjen e djeshme, kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, akuzoi kreun e SPAK Altin Dumani, se ka takuar Charles McGonigal .

Sot ka reaguar kreu i Prokurorisë së Përgjithshme, duke hedhur poshtë akuzat.

“Unë nuk e kam takuar kurrë McGonigal. Gjithçka është thënë në media, është në vazhdën e akuzave të vazhdueshme, te pabaza që bëhen për institucion që unë drejtoj. Nuk ka pasur asnjë arsye për të takuar McGonigal, as nuk e kam njohur kurrë dhe emrin ia kam dëgjuar pas publikimeve ne mediat shqiptare”, tha ai.

Meta tha se akuzon Dumanin për veprimtari politike të qëllimtë

“Hetimi i SPAK-ut tarallakut ka nisur në dhjetor të 2019, me prokuror Altin Dumanin, që bën si i fortë dhe mburret se do merret me Ilir Metën dhe se ka mbështetjen e amerikanëve. SPAK ka nisur hetim në dhjetor 2019 për CEZ. Sipas të dhënave të mia, pas takimeve të Dumanit me McGonigalin e Edi Ramës. Dhe pse ka nisur në 2019 për një çështje të mbyllur? Ka nisur që Meta nuk lejonte të pushtohej Gjykata Kushtetuese nga banda e Ramës, që të mos kishte asnjë mendim pakice dhe të asgjësohej drejtësia

Ma sillni këtu Altin Dumanin. Do të frenojë Ilir Metën të sjellë pluralizmin. E duke kapur ndonjë laraskë lart e poshtë po tenton të marrë Partinë e Lirisë. I duhet Edi Ramës të marrë peng PL, siç mori peng PD dhe vulën. Ma sill këtu Altin Dumanin ta shohin shqiptarët. E akuzoj për veprimtari politike të qëllimtë. Ky person nuk ka kurajo t’i vërë Ramë hekurat për inceneratorët. Nuk ka kurajo t’ia vërë Veliajt hekurat. U jep pyetje gazetarëve të vetë që është Meta andej e këtej. Nuk kam asgjë për të më hetuar. Kam qenë zyrtari më korrekt i këtij shteti”, tha Meta dje në emisionin “Opinion”.


Shtuar 16.04.2024 14:39