Meta flet për tradhti në eksponentët drejtues të partisë së tij: Është një qenie e pështirë

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka folur sot në emisionin “Opinion” në Tv Klan për tradhti në eksponentët drejtues të partisë së tij, por nuk ka dhënë emra. Meta tha se Partia e Lirisë ka patur një organizim të çorganizuar, sipas tij të qëllimshëm. Meta tha se tradhtarin e përdorin të gjithë, por refuzoi të japë emra.

“Tradhtia jo vetëm që ka emër, por tradhtarin e përdorin të gjithë dhe askush nuk e do. Në fund fare është një qenie e pështirë. Mbetet për t’i lënë kohës kohën e vet”, tha Meta.

Meta tha se ka ardhur koha që të ndërtohet një parti me baza të reja, ku do t’i jepet fund nepotizmit.

“Statuti do e ndërtojë këtë parti me baza të reja duke i thënë fund nepotizmit, duke i thënë dhunë mosmbajtjes së përgjegjësive, kakofonisë në drejtim dhe lënies hapësirë për alibi e shfajësime për ata që nuk përmbushin detyrimet e tyre”, tha Meta.

Meta nuk përmendi emra, por u shpreh se Partia e Lirisë nuk mund të ketë dy drejtues.

“Ftoj këdo që ka dëshirë të drejtojë më mirë PL të kandidojë në konventën që vjen. Ftoj cilindo që ka një platformë më të mirë, ta paraqesë. Kjo nuk mund të jetë një forcë me dy shoferë. Dualizmi ishte shkatërrimtar për PD, pale kur futet ndonjë dorë e tretë në timon dhe askush nuk mban përgjegjësi për fatinë autobusit. Duhet shpejtësi, duhet vendimmarrje, fuqizim i organizmit dhe përqendrim i mesazhit te 5 prioritetet dhe një vendimmarrje vertikale në zbatimin e çdo vendimi që merr Konventa dhe gjitha forumet më pas”, tha Meta.


Shtuar 15.04.2024 23:25

Tags: