Sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka, i shoqëruar nga nënkryetari i PD, Luçiano Boçi, nënkryetari i grupit parlamentar, Ervin Salianji, drejtuesi politik i qarkut, Enno Bozdo dhe koordinatori për qarqet e jugut, Aurel Bylykbashi, kanë vijuar takimet me demokratët e Kuçovës.
Në fjalën e tij, Noka akuzoi qeverinë socialiste, e cila sipas tij është kthyer në një bandë hajdutësh, që nuk kanë mision qeverisjen, por mision të vetëm kanë plaçkitjen e Shqipërisë dhe shqiptarëve. Sipas Nokës, në 11 vite Edi Rama bëri gjithçka që t’i heqë një e nga një tullat e themeleve të shtetit.
Në fjalën e tij Noka përmendi edhe “dështimin” e Shpiragut. Gjigandi ndërkombëtar i hidrokarbureve, Shell, konfirmoi zyrtarisht më 12 prill dështimin e kërkimeve për naftë në Shpirag duke paralajmëruar tërheqjen e tij nga ky vendburim. Në raportin e rezultateve për tremujorin e parë të këtij viti, kompania raporton se do të fshijë nga regjistrat e saj mbi 600 milionë dollarë shpenzime kërkimi, kryesisht në Shqipëri.
Flamur Noka: Ashtu si mashtrimi që bëri për 300 ditë që tha policia do t’i japë rend dhe siguri Shqipërisë, ndërkohë që sot Shqipëria është e zhytur në krim, batak, drogë si kurrë më parë. Si mashtrimi që tha për sëhndetësinë falas dhe sot shndetësia më e rrënuar, vjedhur dhe shkatërruar në Europë, si mashtrimi për 300 mijë vendet e punës, ashtu ishte edhe mashtrimi i Shpiragut.
Shpiragu, tha, do të jetë një pasuri e madhe kombëtare, madje do të hapim një fond tjetër që menaxhojë para të ardhura, miliardat që do vijnë nga Shpiragu. Sepse buxheti i shtetit, tha, nuk i përballon dot aq të ardhura sa do bijnë nga Shpiragu.
Sot po të shihni faqen e Shell-it e ka zhdukur Shpiragun nga lista. Nuk ekziston më, është tërhequr. Një mashtrim fund e krye siç e kanë zakon këtatë mashtrojnë.
Sot e sheh Kuçovën dhe të gjithë Shqipërinë të braktisur. Të merr malli të takosh në rrugë të rinj që duan të ndërtojnë të ardhmen këtu. A mos vallë i ka lodhur dhe mërzitur të rinjtë mrekullia e qeverisjes së Edi Ramës? Mos vallë punët që ofron qeveria e Edi Ramës sot të rinjve nuk iu pëlqejnë? A mos vallë ka krijuar një realitet fantastik saqë luksi po i verbon të rinjtë dhe duan të ikin? Jo, dhe jo.
Edi Rama në Shqipëri ka ndërtuar një realitet të zymtë, të mjerueshëm dhe të trishtë.