Protesta e opozitës, nisi në orën 11:00 para bashkisë së Tiranës. Policia e shtetit ka marrë masa për mbarëvajtjen e protestës, duke dërguar numër të shtuar efektivësh në terren.
Shefi i organizimit të Rithemelimit, Klevis Balliu, në deklaratën e tij përpara Bashkisë së Tiranës, ku po zhvillohet protestë kundër Veliajt, për shkak të dosjes “5D”, deklaroi se Erion Veliaj është koka e organizatës që u shkatërrua nga SPAK.
Gjithashtu, Balliu theksoi policia duhet të mos merret me qytetarët, por të kapë hajdutët.
“Qyteratët po vidhen. Policia mos të kapë qytetarët, por të kapë hajdutët. Veliaj është koka e organizatës 5D”, deklaroi Balliu.
Ndërsa, një qytetar deklaroi se qeveria po vjedh vendin. “Edhe në Turqi nuk u blenë votat, atje u rrëzua Erdogan. Unë kam dalë të protestojë kundër kësaj qeverie kriminale, që prish shtëpitë”, tha ai.
Ndërsa, protestuesit përpara derës të Bashkisë së Tiranës thirrën “hajdutë”, “Poshtë korrupsioni në Bashki” etj.