Shkon në 3 numri i shqiptarëve që humbën jetën në aksidentin në Itali! 33-vjeçari u gjet i vdekur pas denoncimit që bëri e dashura

Ka shkuar në tre numri i viktimave nga aksidenti tragjik në Itali ku humbën jetën shqiptarët Marian Kola, 23 vjeç dhe Blerim Miha, 27 vjeç. Gjithashtu, u plagos dhe 28-vjeçari Enrik Nikolla. Mediat italiane raportojnë se 300 metra larg vendit ku u përplas makina dhe më pas mori flakë, është gjetur trupi i pajetë i një personi tjetër. Ai është një shqiptar 33-vjeçar, identiteti i të cilit nuk është bërë i ditur ende.

Ka qenë e dashura e shqiptarit, e cila ka denoncuar në polici se nuk kishte asnjë informacion për partnerin e saj, i cili ka qenë në shoqërinë e viktimave të aksidentit.

Dëshmitari

“Makina u ngrit nga toka, dukej si një raketë,” tha një grua që kishtë parë BMW duke ecur me shpejtësi. Përplasja shkaktoi vdekjen e menjëhershme të Marian Kolës, 23 vjeç dhe Blerim Miha, 27, ndërsa pasagjeri i tretë, 28 vjeç, përfundoi jashtë makinës dhe ndodhet në spital i plagosur rëndë. Ndërsa 33 vjeçari u gjet 300 m larg vendit të aksidentit.

Të katërt, me origjinë shqiptare, banues në periferi jugore të Romës, mes Tor Bella Monaca dhe Ponte di Nona, ishin të njohur për policinë për krime kundër pronës. Të gjithë pa dokumente, por u identifikuan falë gjurmëve të gishtave të marra në morgun e qendrës së mjekësisë ligjore Tor Vergata.

Pas përplasjes, BMW ka marrë flakë në pjesën e përparme dhe pjesërisht në kabinën e pasagjerëve ku ndodheshin dy trupat e pajetë.

Me mbërritjen e urgjencës, mjekët kanë konfirmuar vdekjen e dy të rinjve ndërsa i treti, i shtrirë përtokë në gjendje shumë të rëndë, është dërguar me kodin e kuq fillimisht në spitalin Colleferro dhe më pas në Poliklinikën Tor Vergata ku iu nënshtrua një operacioni me shpresën për t’i shpëtuar jetën.


Shtuar 18.03.2024 21:46