Në muajin shkurt çmimet në vend u rritën me 2.8% aq sa në vendet e BE

Në muajin shkurt çmimet në vend janë rritur me të njëjtin ritëm si në vendet e Bashkimit Evropian. Sipas raportit të INSTAT, inflacioni i matur me metodën e Eurostat në muajin shkurt ishte 2.8%, aq sa ishte edhe mesatarja e BE-së.

Në muajin e kaluar sipas raportit rritja më e madhe e çmimeve është regjistruar tek argëtimi e kultura me 6%, ndjekur nga mobilimi i shtëpisë me 4.1% apo shërbimi arsimor me 4%. Ndërsa sa i takon ushqimeve, në shkurt ato janë shtrenjtuar me 2.4%. Krahasuar me shkurtin e vitit 2023 i vetmi grup me rënie ccmimesh ka qenë transporti me -1.2%.

“Ndryshimi vjetor i matur nga Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit në muajin Shkurt 2024 është 2,8 %. Rritja më e madhe e çmimeve prej 6,0 % vërehet në grupin “Argëtim dhe kulturë”, pasuar nga grupet “Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” me 4,1 %, “Shërbimi arsimor” me 4,0 %, “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 3,8 %, “Pije alkoolike dhe duhan” me 3,7 %, “Hotele, kafene dhe restorante” me 3,4 %, “Veshje dhe këpucë” me 2,9 %, “Shëndeti” me 2,6 %, “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 2,4 %, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 0,8 % dhe “Komunikimi” me 0,3 %.

Nga ana tjetër, çmimet e grupit “Transporti” u ulën me 1,2 %. Në muajin Shkurt 2024, ndryshimi mujor i matur nga Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit është 0,3 %. Ky ndryshim është ndikuar kryesisht nga rritja e çmimeve të grupeve “Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” dhe “Shëndeti” me 0,7 % secila, pasuar nga grupet “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 0,6 %, “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 0,4 %,

“Pije alkoolike dhe duhan”, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” dhe “Argëtim dhe kulturë” me 0,1 % secila. Nga ana tjetër, çmimet e grupit “Transporti” u ulën me 0,1 %”, thuhet në raportin e INSTAT.

Me këto të dhëna EUROSTAT, e klasifikon Shqipërinë në vendin e 18 mes 31 shteteve me çmimet më të larta, duke lënë pas Gjermaninë, Holandën, Suedinë apo Portugali e Zvicër.


Shtuar 18.03.2024 17:02

Tags: , , ,