Bashkëlojtari i Aro Muricit kandidat për huqjen më të madhe të sezonit në Premier Ligë

Burnley mori mbrëmë një fitore me rezultat 2-1 në shtëpi ndaj Brentfordit duke bërë një hap drejt luftës për sigurimin e mbijetesës në elitën e futbollit anglez.

Një ndër më meritorët për këtë sukses të Burnleyt ishte padyshim edhe portieri kosovar Arijanet Muric, i cili bëri plotë gjashtë pritje dhe në fund u shpall lojtari më i mirë i ndeshjes.

Sidoqoftë, përtej pritjeve fantastike të Muric, ajo që mori më së shumti vëmendjen është një rast i humbur për gol nga sulmuesi David Datro Fofana.

Fofana është ngacmuar në rrjetet sociale pasi nuk arriti ta çojë topin në portën e zbrazët nga jo më larg se tre metra, teksa shumë tifozë e kanë cilësuar këtë rast si ‘huqjen më të madhe të sezonit’.

“Nuk mund ta besoj se Assignon nuk ka marrë një asistim aty. Kjo ishte një huqje e tmerrshme nga Fofana”, ka shkruar një tifoz në platformën X.

Fofana i cili është në huazim nga Chelsea po shijon aventurën e tij tek Burnley, teksa ka shënuar katër gola në tetë ndeshje./Telegrafi/


Shtuar 17.03.2024 15:18