Enkelejd Alibeaj insiston se negociatat e PS me Rithemelimin janë “pazare”.
Pas reagimit të Ramës, i cili hodhi poshtë spekulimet për “pazare me Berishën”, Alibeaj tha se asgjë nuk ka ndryshuar që prej vitit 2008 kur pazarin e bëri po me “Non Gratën”.
Rama theksoi më herët se “pazari me Non Gratën” është akuzë dhe shpifje e pabazë, që sipas tij bëhet për të helmuar opinionin e publikut shqiptar.
“Vetëm një idiot i lindur bën sikur nuk e kupton që Rama po bën pazar pë Reformën Zgjedhore. Vetëm një gjë ama duhet pranuar se e ka thënë drejt: asgjë nuk ka ndryshuar! Asgjë nuk ka ndryshuar me 2008 kur pazarin e beri po me Non Grata-n. Asgjë nuk duan të ndryshojnë: listat të mos i hapin; diaspora të mos votojë; të marrin mandate gratis në tavolinë. Mund të jeni 3 hapa para me spërdredhje siç keni bërë për 30 vjet në kurriz të shqiptarëve por mos harroni se shqiptarët shkelmin e kanë gati!”, shkruan Alibeaj në rrjetin e tij social ne Facebook.
Ditën e djeshme PS dhe Rithemelimi ranë dakord për ngritjen e 2 komisioneve hetimore nga tetë që kishte kërkuar opozita si edhe për ngritjen e një nënkomisioni për reformën zgjedhore.
Pakti Rama-Berisha në 2008
Fill pas shpërthimit të Gërdecit në mars 2008, gjatë muajit prill të atij viti, në atë kohë kreu i opozitës Edi Rama dhe Kryeministri Berisha u ulën dhe bënë një marrëveshje të thelluar ku parashikoheshin ndryshime thelbësore të Kushtetutës, përfshi edhe Kodin Zgjedhor.
Ndryshimi kryesor lidhej me kalimin nga një sistem i përzier zgjedhor, pra një kombinim mes sistemit maxhoritar dhe atij proporcional, në sitemin proporcional rajonal.
Kjo çimentoi pushtetin e krerëve të partisë duke shmangur individualitetet dhe rolin e deputetëve “të fortë” në zonat e tyre si edhe zbehu pozicionet e ministrave po ashtu duke fuqizuar ndjeshëm kryeministrin. Shqipëria vijon sërish të apikojë ndryshimet e vitit 2008 dhe ky i tanishmi duket të jetën Pakti II Rama-Berisha, pavarësisht se do të firmoset nga Gazment Bardhi dhe Bledi Çuçi. /albeu.com