Një 19-vjeçar shqiptar ka humbur jetën në një aksident tragjik në Greqi, mëngjesin e ditës së djeshme, pasi mjeti me të cilin udhëtonte është përplasur kokë më kokë me makinën e drejtuar nga këngëtari grek Janis Ksanthopoulos, 24 vjeç.
Aksidenti ka ndodhur në rrugën “Dekelias” në Menidi, ku fuoristrada e këngëtarit Janis Ksanthopoulos, ka devijuar dhe është përplasur ‘kokë më kokë’ me një automjet tjetër.
Miqtë e 19-vjeçarit kanë lënë një lule në vendin e përplasjes, ndërsa disa kanë shpërthyer në lot për humbjen e shokut të tyre.
Në vendin e aksidentit tragjik gjithashtu kanë vendosur edhe një foto të adoleshentit shqiptar.
Në të njëjtën kohë, drejtuesi 20-vjeçar i mjetit në të cilin udhëtonte 19-vjeçari ndodhet në gjendje të rëndë në spitalin KAT, ndërsa Yannis Xanthopoulos, është plagosur lehtë.
Aksidenti rrugor ka ndodhur kur këngëtari 24-vjeçar, duke drejtuar makinën e tij Ford ka humbur kontrollin e mjetit, ka kaluar në korsinë e kundërt dhe është përplasur kokë më kokë me makinën e dy të rinjve./albeu.com