Real Madridi do t’i jap lamtumirën Kepa Arrizabalagas në verë, pasi madrilenët nuk kanë shprehur dëshirën që të blejnë përfundimisht kartonin e portierit spanjoll nga Chelsea.
Ka qenë ky një sezon zhgënjyes për Kepan, i cili ka humbur pozitën e startuesit tek Real Madridit pas lëndimit që kishte pësuar dhe eventualisht ukrainasi Andriy Lunin është bërë i pazëvendësueshëm nën urdhrat e Ancelottit.
E ardhmja e 29-vjeçarit mbetet e pasigurt pasi sipas Diario AS, Kepa është një ‘problem’ edhe për Chelsean të cilët do të synojnë shitjen e tij përfundimtare në verë për të përmirësuar situatën financiare të klubit.
Paga e lartë e Arrizabalagas dhe mungesa e rëndësisë mund të bëjnë që ai të jetë kandidati kryesor për shitje tek klubi londinez, pasi sipas raportimeve drejtuesit e klubit i kanë ofruar një sërë lojtarësh Arabisë Saudite si Raheem Sterling, Marc Cucurella, Armando Broja, Trevoh Chalobah dhe Romelu Lukaku.
‘Los Blancos’ mund të jenë në ‘gjueti’ për një tjetër portier gjatë verës pasi është zbuluar se edhe Lunin mund të largohet nga klubi në fund të sezonit.
Gjiganti spanjoll do të donte ta mbante në ekip ukrainasin, por me rikthimin e Courtois minutat e tij do të limitoheshin përsëri. /Telegrafi/