Në X publikohet një fotografi e Marko Gjuriqit me Milan Radojiçiqin e kërkuar nga Interpoli – thuhet se janë takuar në restorant

Një fotografi e terroristit Milan Radoiçiq në një restorant me Marko Gjuriqin, i cili ka përfunduar mandatin e tij si ambasador i Serbisë në SHBA dhe që aktualisht po pritet të bëhet kryeministër, po qarkullon në rrjetin social “X”.

Përdoruesit që kanë publikuar fotografinë ironizojnë me shtetin serb që “nuk shoqërohet me kriminelë e terroristë”.

“Gjuriq ulur në një tavernë me Radoiçiqin. Sa e mrekullueshme”, thotë me ironi njëra prej atyre që kanë shpërndarë.

Më 29 shtator, Milan Radoiçiq mori përgjegjësinë për organizimin e pjesëmarrjen në sulmin terrorist të 24 shtatorit pasi institucionet e Kosovës publikuan pamjet e grupit terrorist ku ishte edhe ai.

Radoiçiq ishte ndaluar nga policia serbe, por pas pak ditëve Gjykata e Lartë në Beograd kishte njoftuar se e ka liruar nga mbajtja një ditë pas marrjes në pyetje. Që nga atëherë, Radoiçiq është i lirë në Serbi.

Nuk dihet ku ka ndodhur ky takim dhe nëse fotografia është autentike. /Express/


Shtuar 10.03.2024 09:14