Ditën e sotme, i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, do të zhvillojë një vizitë në Kosovë.
Lajçak do të pritet në takim nga zëvendëskryeministri Besnik Bislimi.
“Zëvendëskryeministri për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, pret në takim, Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, me të cilin do të diskutohet për ecjen përpara me zbatimin e Marrëveshjes Bazike”, thuhet në njoftimin e Qeverisë së Kosovës.
Takimi i Bislimit dhe Lajçakut, do të zhvillohet rreth orës 09:30.
“Pika kryesore e agjendës sime në Bruksel javën e kaluar ishte takimi ndërmjet përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë për gjetjen e përgjigjeve për pyetjet e hapura për vendimin e fundit të Bankës Qendrore të Kosovës për operimin me para të gatshme – më konkretisht çështjen e ndihmës së Serbisë për njerëzit që jetojnë në Kosovë. Përshëndeta angazhimin e të dy delegacioneve për t’u angazhuar në mënyrë konstruktive në gjetjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme për komunitetet e prekura. Takimi ishte një hap i parë i rëndësishëm; megjithatë, mbeten shumë pyetje politike dhe do të nevojiten bisedime shtesë në ditët në vijim. Kjo është arsyeja pse si hap i menjëhershëm i ardhshëm do të kem një diskutim vijues me zëvendëskryeministrin e parë dhe kryenegociator të Kosovës Besnik Bislimi”, ka shkruar Lajçak në Facebook.