Pep Guardiola ka zbuluar se ai ndihet keq për kolegun e tij Erik ten Hag dhe Manchester United para derbit të Mançesterit që do të zhvillohet këtë vikend.
Teksa çdo derbi është i rëndësishëm, kjo përballje e vikendit e ka të shtuar edhe kontekstin e titullit të Ligës Premier, me Manchester Cityn që pozicionohet vetëm një pikë mbrapa Liverpoolit.
United do të shkojë në ‘Etihad’ pas një humbje me rezultat 2-1 ndaj Fulhamit në Ligën Premier javën e kaluar, por të besuarit e Ten Hag u kundërpërgjigjën në mesjavë me një fitore të rëndësishme me rezultat 1-0 ndaj Nottingham Forest në FA Cup.
“Unë do të thoja se tek klubet e mëdha ju duhet të fitoni dhe të fitoni, jo vetëm tek United. Ju duhet ta bëni këtë, por nuk është e lehtë për United të vazhdojë me suksesin e jashtëzakonshëm që kishin me Sir Alex Ferguson”, ka thënë Guardiola.
“Kjo nuk është e lehtë, unë mund ta kuptoj këtë. Më herët në Angli, klubet kishin më shumë durim, por sot të gjitha kanë shumë presion”, është shprehur spanjolli.
Në konferencën për shtyp para ndeshjes me rivalin e qytetit, Guardiola gjithashtu ka treguar se nuk do të jetë në gjendje të llogarisë në shërbimet e Jack Grealish, i cili u lëndua në sfidën ndaj Luton Town.
“Ai nuk do të jetë i gatshëm për këtë vikend. Kur ai do të rikthehet, nuk e di. Ne kemi alternativa. Lëndimet janë gjithmonë pjesë e jetës, ka të bëjë se si i tejkaloni ato”, përfundoi Guardiola. /Telegrafi/