Afrika e Jugut ka dërguar në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, planet e qeverisë izraelite për një ofensivë në Rafah, vendi i vetëm në Gaza ku mbi 1.3 milionë njerëz jetojnë, shumica e tyre nëpër çadra.
Afrika e Jugut i kërkoi gjykatës së OKB-së të shqyrtonte nëse operacionet ushtarake të Izraelit do të përbënin shkelje të urdhrave të përkohshëm të dhëna nga gjykatësit muajin e kaluar.
Duke reaguar, Izraeli e hodhi poshtë si “të pabazuar” kërkesën e paraqitur nga Afrika e Jugut në Gjykatën Ndërkombëtare për të ndërhyrë në planet e saj për të nisur një ofensivë në Rafah.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme izraelite Lior Hayat akuzoi Afrikën e Jugut se vepron si “krahu ligjor” i Hamasit.
“Afrika e Jugut vazhdon të përfaqësojë interesat e organizatës terroriste Hamas dhe po përpiqet t’i mohojë Izraelit të drejtën themelore për të mbrojtur veten dhe qytetarët e tij.
“Izraeli është i përkushtuar të respektojë ligjin ndërkombëtar, duke përfshirë lehtësimin e transferimit të ndihmës humanitare dhe parandalimin e dëmtimit të të pafajshmëve.”
Afrika e Jugut parashtroi më parë akuza për gjenocid kundër Izraelit në gjykatë – të mohuara me forcë nga Izraeli – për të cilat gjykata ka të ngjarë të marrë vite për të vendosur.
Por në një vendim të përkohshëm muajin e kaluar, gjykata urdhëroi Izraelin të marrë masa më të mëdha për të mbrojtur civilët.