Shiste kokainë, arrestohet 43-vjeçari në Tiranë, policia i sekuestron një shumë të madhe parash

Një 43-vjeçar, i cili u kap në flagrancë në Sauk, me sasi lënde narkotike kokainë është vënë në pranga.

Policia njofton se në kuadër të operacionit “Tempulli 2”, në pranga ra shtetasi D. B., 43 vjeç, banues në Tiranë.

Gjatë kontrollit fizik ndaj 43-vjeçarit dhe kontrollit në automjetin e tij, shërbimet e Policisë gjetën sasi lënde të dyshuar narkotike kokainë, 5350 euro, 2800 franga dhe 10 000 lekë të rinj, të dyshuara të përftuara nga veprimtaria kriminale e shitjes së lëndëve narkotike, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, bashkë me automjetin.

Nga veprimet hetimore ka rezultuar se ky shtetas e siguronte lëndën narkotike në sasi dhe më pas e ndante në doza, të cilat i shiste në zona të ndryshme të Tiranës.

Në vijim të veprimeve u bë arrestimi i shtetasit D. B. dhe materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.


Shtuar 13.02.2024 10:11