Atentati në Kurbin/ Ardjan Gjeloshi: Nuk kam konflikte, për ҫfarë dyshohet

Atentati me armë zjarri, ndaj 51-vjeçarit Ardjan Gjeloshi në Gurëz të Kurbinit, ku mbeti i plagosur dhe u vra ekonomisti i firmës Selman Mihana, vijon të mbetet pa autor.

Në deklarimet e tij para hetuesve, teksa ka treguar dinamikën e ngjarjes biznesmeni Gjeloshi, ka mohuar të ketë konflikte, duke mos e orientuar grupin hetimor drejt një piste hetimi.

Ndërkohë, përgjatë dy ditëve janë shoqëruar dhe marrë në pyetje një numër i konsiderueshëm, personash të cilët mund të kenë dijeni rreth ngjarjes, por dëshmitë e tyre nuk kanë qenë të vlefshme për grupin hetimor.

Pista kryesore e hetimeve është përqendruar tek hasmëria, e cila lidhet me një ngjarje të ndodhur në vitin 2002 ku mbeti e vrarë një grua dhe u plagos një efektiv policie dhe të dyshuar për krimin kanë qenë 51-vjeçari Gjeloshi, së bashku me vëllanë e tij.

Nga tërësia e veprimeve hetimore, ka dyshime të forta se autoret mund të kenë qenë vrasës me pagesë, që mund të kenë ardhur nga zona e Krujës e më pas janë larguar përmes rrugëve dytësore me një automjet Rang Rovers me ngjyre të zezë i cili rezulton të jetë i vjedhur.

Lëvizjet e tyre janë filmuar nga kamerat e sigurisë në zonë, por nuk është arritur identifikimi pasi në kokë mbanin maska.

Atentati me armë zjarri ndodhi rreth orës 7:00 të mëngjesit të së shtunës, sapo shënjestra kishte hyre në biznesin e përpunimit të inerteve në pronësi të tij në fshatin Gurëz të Kurbinit, ndërsa referuar dinamikës së ngjarjes mendohet se autoret i kanë ruajtur lëvizjet e tij.


Shtuar 12.02.2024 09:57