Tirana kërkon vazhdimësinë, por Erzeni është “makthi” i bardhebluve

Tirana pas fitores spektakolare ndaj Kukësit ka kthyer gjithë fokusin te dueli i radhës me Erzenin. Sfidë kjo që do të luhet ditën e dielë në orën 13:30 dhe është e vlefshme për javën e 23-të të Superiores.

Bardheblutë pas triumfit me përmbysje ndaj verilindorëve, ndaj shijakasve do të kërkojnë të bëjnë të njëjtën gjë. Nuk do ta kenë aspak të lehtë, pasi Erzeni këtë sezon ia ka dalë të marrë dy fitore përballë “djemve” të Julian Ahmataj.

Shijakasit kanë fituar në të dyja takimet me rezultat minimal 1-0 dhe të njëjtën gjë do të synojnë të bëjnë edhe ditën e dielë, teksa do të kërkojnë të rikthehen te triumfi në kampionat, i cili iu mungon prej 4 ndeshjesh.

Ndërkohë nga ana tjetër kryeyqttasit do të tentojnë që në shtëpinë e tyre të marrin edhe pikët e para ndaj shijakasve si një mënyrë për të “shkelmuar” “tersin” e përballjeve direkte, por edhe si “hakmarrje” për dy humbjet e këtij sezoni përballë tyre. /newsport.al/


Shtuar 8.02.2024 10:01