Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në një interviste për “AFP”, ka komentuar vendimin e marrë nga Banka Qendrore e Kosovës, për të hequr nga tregu dinarin, i cili ndezi tensionet diplomatike me Serbinë.
Kurti ka theksuar se në Kosovë dinari nuk është i ndaluar, por në Kosovës e vetmja monedhën ligjshme për transaksionet tregtare është euro.
“Ne nuk po i ndalojmë dinarët serb, njerëzit mund të kenë dinarë serb, por mjeti i vetëm i pagesës është euro”, tha Kurti, ndërsa theksoi se serbët e Kosovës nuk do të ndëshkohen për mbajtjen e valutës.
“Nuk është qëllimi ynë as të ndëshkojmë dikë dhe as të befasojmë qytetarët”, tha ai.
Ndër të tjera, Kurti bëri më dije se është vendosur një periudhë njëmujore për të lehtësuar rregulloren e re, e cila do të lejonte komunikim të mëtejshëm dhe kohë për të zgjidhur këto çështje.
Deklaratat e tij erdhën pasi Serbia akuzoi Qeverinë e Kosovës për bllokimin e një dërgese dinarësh në kufi.
“Banka Kombëtare e Serbisë dënon fuqishëm incidentin e sotëm dhe rithekson se është e nevojshme që menjëherë të shfuqizohen masat diskriminuese, të paligjshme dhe të egra”, tha Banka Qendrore e Serbisë në një deklaratë.
Banka tha se dërgesa ishte caktuar për të paguar paga, pensione, përfitime sociale dhe pagesa të tjera për serbët në Kosovë.
Autoritetet e Kosovës thanë se një automjet serb i ishte afruar kufirit për të pyetur për dërgimin e dinarëve dhe u informua se vetëm kompanitë e autorizuara mund të sillnin dinarët në Kosovë.
Pavarësisht mosmarrëveshjes së fundit diplomatike, Kurti tha se synonte që këtë vit të normalizonte marrëdhëniet me rivalin e përhershëm Serbinë, pas bisedimeve të ngecura për këtë çështje midis dy palëve.
Kosova e ka miratuar euron si monedhë të saj në vitin 2002, pavarësisht se nuk ishte anëtare formale e eurozonës dhe as e Bashkimit Evropian.
Ndërkohë, lidhur me vendimet e BQK-së kanë reaguar edhe ndërkombëtarët, si SHBA dhe BE, duke dënuar këtë veprim të Kosovës, pasi sipas tyre kjo ka të ngjarë të nxisë edhe më tej tensionet midis dy palëve.