BDI do të fokusohet në mjedisin jetësor! Ahmeti: Atë që e themi edhe e realizojmë (VIDEO)

Për ditë të tëra me shenja të pikësimit e me ngjyrë të gjelbër, e promovuan një ide që do të ishte diçka e mirë për qytetarët e shtetin. Paralajmëruan diçka që do të bëhej temë diskutimi, njësoj si ideja për Kryeministrin shqiptar.

Para se të shpalosnin idenë, i pari i kësaj partie Ali Ahmeti qytetarëve iu drejtua edhe në gjuhën maqedonase.

“Të nderuar media, e dashura rini! Të nderuar qytetarë! Mirëdita!

Befasia e madhe e paralajmëruar nga BDI, ishte që tani e tutje si prioritet politik do të kenë jetën cilësore dhe ruajtjen e mjedisit jetësor.

“Ka ardhur koha që Bashkimi Demokratik për Integrim të fokusohet tërësisht në cilësinë e të jetuarit, e kushteve të jetës së përditshme, zhvillimin, arsim dhe shëndetësi cilësore, drejtësinë joselektive, digjitalizimin, politikat sociale, infrastrukturën, ekonominë dhe mjedisin jetësor”, tha Ali Ahmeti – kryetar i BDI-së.

Ahmeti theksoi se si parti politike gjatë këtyre viteve kanë përmbushur premtimet dhe kërkesat e qytetarëve, ndërsa tani do të fokusohen në “agjendën e gjelbër”.

“U ndërtuan shkolla, spitale, çerdhe, rrugë, infrastrukturë, teatro, u themeluan institucione të reja, u bëmë të zot të vetvetes dhe të dobishëm për vendin”, u shpreh kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.

Për integristët, agjenda e gjelbër do të jetë  kryefjala edhe në zgjedhjet lokale.

“Agjenda e gjelbër të dashur miq nënkupton jetë cilësore, vende pune dhe zhvillim, në veçanti në periudhën pas pandemisë dhe ndikimit negativ të saj mbi ekonominë, vendet e punës, shëndetin dhe jetën në përgjithësi”, shtoi lideri i BDI-së, Ali Ahmeti.

Gjatë fjalimit Ahmeti tha se sheh male të shkretuara e deponi të egra në çdo vendbanim.

Kjo ide e BDI-së vjen në përvjetorin e saj 19 si parti politike, ndërsa  si pjesë e qeverisë në shumë mandate kuadro të kësaj partie kanë udhëhequr me Ministrinë e ambientit jetësor dhe planifikimit hapësinor.


Shtuar 6.06.2021 09:05

Tags: ,