Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe ka sqaruar kodin e ri penal për partnerët me dy bashkëjetesa njëkohësisht.
Braçe thekson se ‘nuk mund të bëhemi Irani në këtë vend sa i takon çështjeve që lidhen me moralin, por bigamia dhe poligamia duhen ndëshkuar’.
“Ngjarjet që kanë ndodhur së fundmi në Shqipëri, veçanërisht me gratë, vajzat dhe të miturit, po shkojnë paralel me hartimin e një kodi të ri penal që duhet të matrealizojë shqetësimet që shoqëria mbart në këtë aspekt. Ka propozime të ndryshme por një gjë duhet t’i vlejë këtij debati, është e rëndësishme që ky debat mos të mbytet nga gënjeshtrat, qoftë edhe mediatike. U jepet kohë profesionistëve që të marrin çdo lloj propozimi dhe ta diskutojmë. Ne nuk mund të bëhemi Irani në këtë vend sa i takon çështjeve që lidhen me moralin. Referuar këtij debati për tradhtinë, problem është bigamia, poligamia, tre katër gra brenda një marrëdhënie. Këto duhen ndaluar dhe duhen ndëshkuar”-shprehet Braçe.
Ndërsa deri më sot thyerjen e besnikërisë e kemi quajtur si problem moral, në draftin e ndryshimeve të Kodit Penal, kjo do të jetë një vepër penale që do të ndëshkohet deri 3 vite burgim. Sipas projektligjit të hedhur për diskutim thuhet: Mbajtja e dy ose më shumë martesash në të njëjtën kohë, apo bashkëjetesa me një apo më shumë partnerë/e në të njëjtën kohë, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet. Nëse bigamia vazhdon pas dënimit të parë, dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në katër vjet. Sipas Kodit të Familjes, bashkëjetesë quhet kur dy individë kanë një lidhje emocionale dhe jetojnë në çift, e karakterizuar nga një jetë e përbashkët, që paraqet një karakter stabiliteti dhe vazhdueshmërie.