Investime te qendra e gjakut, Rama: Kush dhuron ndihmon dhe veten përmes rigjenerimit

Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Albana Koçiu vizitoi mjediset e reja të Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut (QKTGJ), ku ndër të tjera është realizuar digjitalizmi i plotë dhurues-pacient në QKTGJ e banka gjaku në Tiranë, automatizimi i mëtejshëm në testim dhe përpunim, centralizimi i mëtejshëm i shërbimeve me qëllim sigurimin e cilësisë maksimale të gjakut dhe garantimin e aksesit të barabartë ndaj gjakut të mjaftueshëm e cilësor në çdo skaj të vendit.

“Këtu jemi në godinën tërësisht të re të qendrës kombëtare të transfuzionit të gjakut, një investim që u realizua nga buxheti i shtetit gjatë vitit 2023. Ishte një investim total, jo vetëm në infrastrukture, por dhe në pajisje dhe në ngritjen e kapacitetit të stafit që punojnë në këtë qendër. Janë 60 punonjës që punonjës në këtë infrastrukturë dhe që shërbejnë për të gjithë ata dhurues që paraqiten këtu dhe dhurojnë gjak”, shpjegoi Ministrja e Shëndetsisë dhe Mbrojtjes Sociale Albana Koçiu.

Standardet europiane në dhurim, testim, përpunim, ruajtje dhe shpërndarje të gjakut, bashkëpunimi teknik me qendrën homologe franceze, si edhe stafi i kualifikuar dhe i mirëpaguar, kanë ndikuar ndjeshëm në rritjen me 50% të numrit të dhuruesve vullnetarë të gjakut.

“Ne kemi rritje 50% të dhurimeve vullnetare të mbledhura nga Qendra Kombëtare e Transfuzionit të Gjakut dhe një rritje rreth 20% e dhurimeve vullnetare në tërësi krahasuar me një vit më parë. Ka mjaft sensibilizim dhe më ndryshe është përgjigja e njerëzve ndaj dhurimit vullnetar të gjakut.” – u shpreh Drejtuesja e QKTGJ Irena Qendro.

“Njerëzit duhet ta kuptojnë se kush jep gjak ndihmon dhe veten përmes rigjenerimit”, u shpreh kryministri Edi Rama.

Me transformimin e realizuar Qendra Kombëtare e Transfuzionit të Gjakut është shndërruar në një operator ekselence i Shërbimit Publik Shëndetësor.