Izraeli akuzon Organizatën Botërore të Shëndetësisë për “bashkëpunim të paligjshëm” me Hamasin, duke pretenduar se ka injoruar provat izraelite se organizata palestineze po përdorte spitalet e Gazës për qëllime terroriste.
Duke folur në seancën e Bordit Ekzekutiv të OBSH-së, ambasadori i Izraelit në Kombet e Bashkuara në Gjenevë, Meirav Eilon Sahar, akuzoi Hamasin për “militarizimin e të gjithë zonës urbane të Rripit të Gazës si pjesë e një strategjie të paramenduar”.
“Këto janë fakte të padiskutueshme, të cilat OBSH ka zgjedhur t’i injorojë herë pas here . Këtu nuk po flasim për paaftësi. Ky është një partneritet i padrejtë”, argumentoi ai.
Në secilin prej spitaleve të kontrolluara nga ushtria izraelite në Gaza, u gjetën prova se ato po përdoreshin nga Hamasi “për qëllime terroriste”, tha ai gjithashtu në një postim në platformën X.
Sipas ambasadorit, OBSH “e dinte se pengjet po mbaheshin në spitale dhe atje vepronin terroristët” .
“Edhe kur u paraqitën me prova të prekshme të asaj që po ndodhte, nën tokë dhe në sipërfaqe, armët, shtabet e përgjithshme, dhomat e mbyllura, OBSH zgjodhi të mbyllte një sy, duke rrezikuar ata që supozohet të mbronte,” vazhdoi ai.
Lufta në Gaza filloi pasi Hamasi sulmoi territorin izraelit më 7 tetor, duke vrarë 1,140 njerëz, kryesisht civilë. Rreth 250 u rrëmbyen dhe u dërguan në Gaza. Sipas një raporti të AFP, 132 pengje mbeten ende në enklavë, por 28 prej tyre besohet të kenë të vdekur .
Më herët gjatë ditës së sotme, drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, iu drejtua takimit të organizatës, me lot në sy, për situatën në Gaza.
Në një postim në Platformën X ai shkruan se “armëpushimi duhej zbatuar shumë kohë më parë”, duke shtuar: “Zgjidhja ekziston. Duhet vetëm vullneti. Le të zgjedhim paqen.”
Sahar tha se anëtarët e Hamasit filluan sulmet nga Spitali Indonezian në Rripin verior të Gazës dhe se ushtria gjeti pesë pengje atje, të vdekur, në një tunel nëntokësor.
Deri më sot, OBSH nuk ka konfirmuar akuzat e Izraelit për ndërtimin e tuneleve nën spitale dhe përdorimin e tyre si qendra komanduese të Hamasit.
Një zëdhënës i organizatës kur u pyet për këtë më 21 dhjetor, tha se OBSH “nuk është në gjendje të verifikojë se si përdoret çdo spital” pasi roli i saj është “të monitorojë, analizojë dhe raportojë”.
“Ne nuk jemi një agjenci kërkimore,” tha në atë kohë Richard Pipercorn, përfaqësuesi i OBSH-së në territoret e pushtuara palestineze./albeu.com