Partizani humbet një nga elementët e tij më të rëndësishëm. Erald Çinari është zyrtarisht një futbollist i klubit të ligës së parë turke Samsunspor. Lajmet që kanë qarkulluar në mediat shqiptare për të ardhmen e sulmuesit 24-vjeçar tashmë kanë marrë formë zyrtare pasi ka qenë vetë klubi nga qyteti i Samsunit që ka bërë me dije transferimin e shkodranit në Turqi.
Çinari të cilit i skadoi kontrata me Partizanin në fund të këtij sezoni dhe u largua si një futbollist i lirë, ka firmosur për 3 vite me Samsunspor me opsion rinovimi edhe për një tjetër sezon. Detaje të tjera rreth kësaj marrëveshjeje pritet të dalin gjatë orëve në vijim, kjo përsa i përket edhe pagës që do të përfitojë futbollisti te Samsunspor. Partizani nuk arriti të arkëtonte asgjë nga largimi i 24-vjeçarit i cili spikati në këtë sezon të Kategorisë Superiore me 8 gola ku më të rëndësishëm ishin ata ndaj Tiranës në derbi menjëherë pas rikthimit nga pezullimi 4 mujor dhe ndaj Teutës, 2 javë para fundit, goli që i dha mundësinë të kuqëve të kryesonin të vetëm për disa ditë kampionatin.
Për Çinarin realizohet ëndrra për të luajtur jashtë Shqipërisë pasi në të shkuarën për efekte dokumentacioni dështoi transferimi i tij te Deportivo Alaves që fillimisht do ta huazonte te Istra në Kroaci. Përsa i përket Samsunspor përveç Çinarit nga Partizani klubi nga Samsuni kërkon edhe Esat Malën e Esin Hakajn. Forma e mirë që kanë treguar lojtarë si Eduart Rroca, Gentian Selmani, Kristal Abazaj, Valon E’themi e David Domgjoni në ligën e parë turke sidomos në sezonin e fundit kanë bërë që klube nga ky kampionat ta përqëndrojnë vëmendjen për të bërë merkato në Kategorinë Superiore. Samsunspor e mbylli sezonin e fundit të ligës së parë turke në vendin e 3-të me pikë të barabarta me dy skuadrat që u ngjitën në elitë Adana Demirspor dhe Giresunspor por për shkak të rezultateve jo të mira në sfidat direkte nuk arriti të siguronte ngjitjen në Superligë, ndërsa më pas u eliminua në gjysmëfinalet e fazës play-off nga Altinordu.