Simulimi qesharak i Bruno Fernandes ndaj Wiganit, ka bërë që tifozët të shpërthejnë në rrjetet sociale

Bruno Fernandes ka shënuar një penallti të diskutueshme për të dyfishuar epërsinë e Manchester United në duelin ndaj Wigan Athletic, në kuadër të raundit të tretë të FA Cup.

Po luhej minuta e 74-të e takimit në “DW Stadium”, kur Fernandes e fitoi penalltinë pas një dueli me futbollistin Liam Shaw.

29-vjeçari si në një shfaqje teatrale u rrëzua në tokë, duke bërë që gjyqtari Anthony Taylor të bëjë me shenjë tek pika e bardhë.

Një numër i lojtarëve të Wiganit protestuan tek Taylor për vendimin që kishte marrë, por në këtë ndeshje ai nuk mund të llogariste në asistencën e VAR-it.

Disa momente më vonë, Fernandes e shndërroi në gol penalltinë që e fitoi vet, duke çuar portierin vendas në krahun e kundërt.

“Bruno Fernandes duhet të ndalojë së bëri këtë. Të simulosh për të fituar një penallti ndaj një skuadre dy kategori më poshtë. Ndihem keq për Wigan. E turpshme për Fernandes dhe United”, kishte shkruar një tifoz në platformën X (ish-Twitter). /Telegrafi/


Shtuar 9.01.2024 10:05