Një adoleshente është arrestuar nga policia e Gjirokastrës pasi në dhomën e konviktit ku ishte akomoduar mbante lëndë narkotike cannabis sativa në trajtë çokollate, me qëllim shitjen në ambientet e konviktit.
“Shërbimet e Policisë kryen kontrolle në ambientet e konviktit ku ishte akomoduar 17-vjeçarja, ku gjetën një sasi lënde narkotike cannabis sativa në trajtë çokollate, që posedohej nga kjo shtetase me qëllim shitjen në ambientet e konviktit dhe në ato të gjimnazit ku ishte nxënëse. Në vijim, lënda narkotike u sekuestrua nga shërbimet, në cilësinë e provës materiale, së bashku me 3 celularë”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Veprimet procedurale me të miturën po kryhen në praninë e prindit, psikologut dhe mbrojtësit ligjor.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.