Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka folur nga Korça ka ku ka “shigjetuar” Lulzim Bashën, i cili, sipas Salianjit, ka dëmtuar rëndë Partinë për shkak të interesave personale që ka përfituar nga pushteti.
“Janë të përçarë për shkak të disa ish-drejtuesve që në mënyrë të pamerituar kanë marrë pushtet në kohën e PD-së, por në mënyrë brutale po e dëmtojnë opozitën për interesa personale e ky është një prej personave, kryetari me vulë”, u shpreh Salianji.
Gjithashtu, Salianji ka komentuar edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila rikthen edhe një herë tjetër në Gjykatën e Apelit çështjen e logos dhe vulës të Partisë më të madhe opozitare në vend: “Fatmirësisht për shqiptarët, por jo dhe aq mirë për ne, është se gjykata e la prapë varur e ia hoqi vulën atij që e kishte deri më sot, e ktheu prapë vulën aty ku duhet dhe besoj do kenë një vit kohë për t’u marrë ku do shkojë vula e ku do mbetet”.
Deputeti u ka bërë thirrje gjithë demokratëve të bashkohen, për të rikthyer këtë forcë politike në pushtet, ashtu siç nuk ka dashur të bëjë komente kur është pyetur lidhur me një garë që mund të hapet pas arrestimit të mundshëm të Sali Berishës.
“Mendoj që ka ardhur momenti që të bëhemi të gjithë bashkë, të forcohemi, të rrimë në terren, të flasim për problematikat e qytetarëve. Po e rithem: Gjykata Kushtetuese nuk e pranoi kërkesën e avokatëve dhe Korça si shumë qytete do jetë pa gjykatë Apeli. Do shtrenjtohen kostot, kështu ka ndodhur me dhjetra institucione, biznese që do paguajnë TVSH, ju gazetarë që do paguani 23%, që paratë të merren e ndahen me një grup shokësh”.
Sipas Salianjit, Partia Demokratike, jo vetëm është e gatshme për të shkuar në zgjedhje të parakohshme, por edhe për të rrëzuar nga pushteti Edi Ramën.
“Ne kërkojmë zgjedhje të parakohshme në çdo moment, ne jemi të gatshëm të fitojmë. Zgjedhje si herën e parë ku u shfrytëzua përçarja e PD dhe vjedhja, nuk do ndodhin më. Kemi gjithë artilerinë për të mposhtur qeverinë”, kështu u shpreh Salianji.