Në një dalje para mediave, kryetarja e Bashkisë së Lushnjes, Eriselda Sefa, tha se bashkia ka bërë gati konviktet e shkollës mekanike, për të strehuar banorët e pallatit që u përfshi nga flakët pasditen e shkuar në qytetin e Lushnjes.
“Kemi bërë gati konviktin e shkollës mekanike dhe në rast nevoje do të marrim objekte me qira. Aty janë 91 apartamente, por 20 familje janë rezidente. Të gjithë janë te të afërmit e tyre. Pasi të mbarojë ekspertiza, bashkia do të bëjë një vlerësim të japim një kompensim sipas ligjit”, tha kryebashkiakja.
E pyetur për gjendjen e banorëve që shkuan në spital, ata thanë se janë në gjendje të mirë shëndetësore.
“Personat e fundit janë larguar rreth orës 1. Ka qenë çifti i fundit që janë larguar dhe janë në gjendje të mirë shëndetësore”, deklaroi ajo.
Ndërsa ende nuk dihet numri i bizneseve të prekura, Sefa tha se Drejtori e Tatimeve po nxjerr informacionin e nevojshëm për të gjithë bizneset.