Kuvendi voton sot për heqjen e imunitetit të Berishës/ Opozita në protestë, ҫfarë pritet të ndodhë sot

Ditën e sotme, Kuvendi pritet të votojë për heqjen e imunitetit të Sali Berishës, pasi Këshilli i Mandateve miratoi kërkesën e SPAK, për dhënien e autorizimit për arrestimin e ish-kryeministrit dhe Gjykata Kushtetuese rrëzoi kërkesën e firmosur nga 30 deputetë opozitarë, për pezullimin e masave ndaj tij.

Më pas, do të jetë Prokuroria e Posaçme që do të vendosë se çfarë mase shtrënguese do të kërkohet për Berishën, arrest në shtëpi apo arrest në burg, i cili është nën hetim për aferën “Partizani”.

Një ditë më parë, në Kuvend u depozituan edhe dy raportet e përpiluara nga anëtarët e Këshillit të Mandateve.

Të dy raportet, si i mazhorancës dhe opozitës i rekomandojnë Kuvendit dhënien e autorizimit ndaj kërkesës së Prokurorisë së Posaçme, që kërkon heqjen e imunitetit të Sali Berishës dhe më pas arrestimin e tij.

Si Patia Socialiste, ashtu edhe Partia Demokratike,  argumentojnë se akuzat ndaj Berishës nuk janë politike.

Nga ana tjetër, ndërsa Kuvendi pritet të votojë për heqjen e imunitetit të ish-kryeministrit, opozita ka paralajmëruar protestë.

Nën moton “O sot, o Kurrë”, Berisha theksoi se kjo protestë, e cila është parashikuar të nisë në orën 09:30 do të mbahet pasi qeveria po ndërmerr vendime antikushtetuese.

Kujtojmë që SPAK iu drejtua Kuvendit me kërkesën për dhënien e autorizimit për shtrëngimin e masës ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha në arrest, më 12 dhjetor pasi ish-kryeministri nuk respektoi masën e parë, atë të detyrimit për paraqitje.


Shtuar 21.12.2023 08:09