Zbërthimi i SKY ECC/ Vlonjati në krye të bandës së drogës, dalin para gjykatës belge 120 të pandehur, shqiptari: Luajta, humba

“Zonja gjyqtare, luajta dhe humba”.

Një 50-vjeçar shqiptar shqiptar, i gjykuar në Bruksel si drejtues i trafikut të kokainës, ka rrëfyer të hënën përfshrijen e tij në transportin e drogës në të gjithë Evropën, përpara se të arrestohej nga policia belge në vitin 2021.

Eridan Munoz Guerrero është një nga të pandehurit kryesorë në këtë mega-gjyq të hapur përpara gjykatës së Brukselit, së bashku me më shumë se 120 persona të tjerë, francezë, belgë, shqiptarë, kolumbianë apo afrikano-veriorë, të arrestuar pas dekriptimit të Encrochat dhe Sky.

I pandehuri i parë që u thirr në tribunë, shpjegoi se ishte përgjegjës për marrjen me qira të makinave luksoze dhe monitorimin e shoferëve që dërgonin kokainë në Itali, Gjermani dhe madje edhe Suedi, nga Belgjika.

“Marr përgjegjësinë për atë që kam bërë, konfirmoj të gjitha deklaratat e mia në polici, konfirmoj se kam drejtuar një grup trafikantësh”, deklaroi ai, raportojnë mediet e huaja.

Ai vuri në dukje në veçanti se ishte përgjegjës për vendosjen e pakove të drogës në makinat e mëdha të përdorura për dërgesa.

Çështja ka të bëjë me trafikun e gjerë ndërkombëtar të kokainës dhe kanabisit, të çmontuar nga policia belge në vitet 2021-2022 në bashkëpunim me ato të Italisë dhe Gjermanisë.

Droga transportohej në kontejnerë nga Amerika e Jugut dhe Maroku, përkatësisht, nëpërmjet porteve të Antëerp, Roterdam, Hamburg dhe Le Havre. Kokaina përpunohej në Belgjikë, ndonjëherë e prerë me kimikate.

Prokuroria thotë se ka identifikuar grupe të ndryshme kriminale aktive që nga viti 2017, “të strukturuara, hierarkike” dhe që kishin lidhje “tregtare të paligjshme” mes tyre.

Eridan Munoz Guerrero (ka marrë mbiemrin e gruas), ka lindur në Shqipëri në vitin 1973 dhe ka jetuar në vitet 2000 në Gjermani.

Ai është i njohur për gjykatat dhe ndodhet mes dhjetëra të pandehurve. Gjithashtu ai cilësohet si “udhëheqës” i organizatës kriminale.

Katër pseudonime në Sky ECC

Disa të pandehur si Munoz Guerrero kanë qenë në paraburgim ​​në Belgjikë që nga arrestimi i tyre. Të tjerët janë lënë në arrest shtëpie.

Pjesëmarrja në një organizatë kriminale, shkelje e legjislacionit për drogën, trafiku i armëve etj., janë disa nga veprat penale për të cilat akuzohen të pendehurit. Bëhet fjalë edhe për rrëmbim dhe tentim zhvatjeje.

Gjyqi pritet të zgjasë të paktën katër muaj, me tre ditë seanca në javë.

Përveç konfiskimeve të bëra në porte apo në laboratorët e përpunimit të kokainës që operonin në Belgjikë, hetimi u bazua në informacionin e përgjuar në Encrochat dhe Sky ECC.

Këto sisteme telefonike të koduara, shumë të njohura për kriminelët, u çmontuan në vitin 2020 dhe 2021 falë përpjekjeve të përbashkëta të policisë holandeze, franceze dhe belge.

Lidhur me Eridan Munoz Guerrero, hetuesit identifikuan të paktën katër pseudonime të ndryshme të përdorura për të komunikuar në Sky ECC.


Shtuar 18.12.2023 19:53