“I riu që shihni në foto është zhdukur pa gjurmë në Britani…”, kjo ishte fjalia e parë një moderatoreje që trajton në emisionin e saj njerëzit e humbur në një televizion shqiptar.
Kaq ka mjaftuar të nisë gara se kush të nxjerrë e para emrin e djalit, foton e tij, ku është parë për herë të fundit, apo se kush apo çfarë kishte thënë ndonjë nga “familjarët” e tij mbi zhdukjen e të riut.
Por askush nga gazetarët, duke nisur nga drejtuesja e emisionit, e më pas zinxhiri i mediave për klikime, nuk pyetën nënën e djalit, e cila gjatë kohës që po bëhej “gjëma” për gjetjen e djalit të saj në media, ishte pikërisht duke folur me të birin.
Një ngjarje sensacionale në media, por jashtëzakonisht skandaloze në trajtim, pasi i gjithë rasti ishte një shpifje dhe i pavërtetë.
Djali për të cilin gazetarët e emisionit pretendonin se ishte zhdukur pa gjurmë në Britani, ishte dërguar nga vetë familjarët në Angli për të qëndruar pranë dajës së tij ku do të niste shkollën e më pas punën.
Por historia nuk mbaron këtu, madje ky është vetëm fillimi, i cili mesa duket nuk e ka ende një fund…
Në emision në atë kohë thuhej se i riu ishte 26-vjeç, ndërsa e vërteta ëhstë se ai ishte ende i mitur, vetëm 16-vjeç.
Kujtojmë që në Shqipëri në përshtatje me legjislacionin e Bashkimit Europian çdo fëmijë deri në moshën 16-vjeç konsiderohet i mitur, dhe të drejtat e të miturve mbrohen me ligj.
Për herë të parë, emri i të miturit, tashmë 21 vjeç, së bashku me emrat e adoleshentëve të tjerë u publik 5 vite më parë. Për tu rikthyer sërish në vitin 2020 në një tjetër emision për njerëzit e humbur.
E ëma e djalit (emri i të cilit nuk do të bëhet publik për arsye privatësie), po “lufton” që të heqë videon nga Youtube, por nuk ka marrë asnjë përgjigje.
“Fola me gazetarët e emisionit dhe më thanë se nuk mund të bëjnë asgjë. Ndërsa moderatorja e emisionit, nuk më përgjigjet në telefon”, shton ajo.
“Jo vetëm kaq, por ata kanë gënjyer për moshën e djalit. Në emisionin pretendohet se ai është 26 vjeç, ndërkohë që ka qenë vetëm 16 vjeç kur i kanë publikuar foton”.
Emisioni pretendon se këta të mitur i arratisen policisë për të punuar me dëshirën e tyre në ferma droge.
Ata punojnë një periudhë të caktuar në këto shtëpi bari dhe në momentin që i mbaron puna dhe lekët kthehen në banesat e siguruara nga shteti britanik.
E ëma e 21-vjeçarit e mohon këtë fakt.
“Djali im jeton me vëllanë në Britani dhe ndjek shkollën”, thotë ajo.
“Ai nuk ka asnjë shenjë dalluese në dorë, ashtu siç pretendohet në emision”.
Ndodhemi përballë një shkelje të rëndë etike nga media, e cila minimalisht duhet të kishte kontaktuar me familjen para se të përdorte foton, emrin dhe informacione të pavërteta të një të mituri, i cili është larguar drejt Britanisë me dijeninë e plotë të prindërve.
Përdorimi i imazheve të fëmijëve pa lejen e prindërve është shkelje e privatësisë së tyre. Kujtojmë që privatësia e fëmijëve mbrohet me ligj. Fëmijët nuk kanë aftësinë e plotë për të vendosur në lidhje me ekspozimin e tyre në media dhe kjo sjell shqetësime të mëdha në lidhje me sigurinë e tyre.
Duke mos ditur se çfarë të bëjë, e ëma e të miturit kontakton një avokat, duke shpresuar se me ndërhyrjen e tij do të mund të heqë videon nga Youtube.
Por as kjo nuk funskionoi. Video vijon të jetë publike dhe imazhet e 13 të miturve së bashku me emrin e tyre të plotë janë të ekspozuar për publikun e gjerë.
Në këta rast na krijohet dyshimi se sa të vërteta janë historitë e tjera të bëra publike nga ky emision?
Publikimi i imazheve të fëmijëve pa lejen e prindërve mund të ndikojë emocionalisht te fëmijët, veçanërisht në raste kur ky publikim është në një kontekst sensacional ose negativ. Në raste kur prindërit nuk janë kontaktuar, kjo sjell tension në marrëdhënien mes mediave dhe prindërve, dhe mund të dëmtojë besimin e publikut në mediat si burime të besueshme.
E ëma, vijoi “betejën” dhe kontaktoi me Axromax, platformën e cila është përgjegjëse për përmbatjen e publikuar në Youtube.
E ëmra tregon se përgjigjja e vetme që mori nga Axromax është: Nuk mund të bëjmë gjë, duhet të flisni me gazetarët e emisionit.
Gjatë bisedës me një avokat penalist, i cili nuk donte të prononcohej për mediet, mësojmë se zgjidhja e vetme është denoncimi për shpifje.
“E vetmja mundësi është kallëzimi penal për shpifje dhe vendimi është në dorë të Gjykatës”, tha avokati.
Për të shmangur këto shqetësime, mediat duhet të kenë praktika të përcaktuara në lidhje me përdorimin e imazheve të fëmijëve. Ata duhet të sigurojnë miratimin e prindërve përpara se të përdorin fotografi apo informacion rreth fëmijëve në platformat e tyre. Kjo ndihmon në mbrojtjen e privatësisë së fëmijëve dhe në respektimin e drejtave të tyre.
Ky lloj sjelljeje jo etike në media dëmton integritetin e vetë medieve. Krijon një ambient të pasigurt ku njerëzit mund të ndiejnë se imazhi i tyre mund të përdoret pa kujdes për qëllime të pakuptueshme ose të padëshirueshme. Është e rëndësishme që mediat të kujdesen për etikën dhe integritetin në përdorimin e imazheve dhe informacionit.