Braktisja e një foshnje të sapo lindur në një bodrum në Tiranë tronditi opinionin publik rreth një muaj më parë. Ngjarja, e cila u shënua në Yzberisht, ishte kryetemë e medieve për disa ditë resht, por mënyra se si ajo u trajtua zgjoi një ndjenjë zemërimi dhe urrejtjeje te opinioni publik.
Një 30-vjeçare, e braktisur nga i dashuri dhe e frikësuar nga reagimi i familjes e mentaliteti me të cilin do të duhej të përballej si një nënë e vetme, vendosi më 8 nëntor që të sillte në jetë fëmijën e saj mes të ftohtit dhe mbeturinave në bodrum dhe ta linte atje.
Foshnja humbi jetën në spital, dhe nëna u arrestua, por për shkak të gjendjes së saj shëndetësore dhe psikologjike u la në arrest shtëpie.
Menjëherë pas publikimit të lajmit në media erdhi edhe reagimi publik, i cili ishte i ashpër dhe gjykues ndaj një ngjarjeje që ende nuk kishte detaje.
Shpesh raportimi apo sajimi i ngjarjeve sensacionale, ka si qëllim në vetvete të thithë audiencë dhe klikime, duke e larguar tërësisht gazetarin nga misioni i tij.
Ajo që vihet re gjatë raportimit të kësaj ngjarjeje është shkelja e etikës, si nga ana e medieve online që “luftonin” për klikime, ashtu edhe e televizioneve që e trajtuan gjerësisht në emisione.
Në gjykimin e psikologes Tana Aliaj, media në këtë rast është udhëhequr nga parimi “lajmi shet”. Në fokus nuk janë më individët dhe ajo që mediat duan të përcjellin tek audienca, por përfitimi personal.
Psikologia Aliaj: Lajmi shet! Shpesh kjo është një nga shprehjet më të hasura në diskutimet për mediat. Në fakt, qëllimi parësor i mediave është informimi i publikut për aktualitetin, çështjet sensitive, por edhe ndërgjegjësimi i tyre, për të qenë qytetarë aktivë që advokojnë për vlera dhe kauza. Nëse media udhëhiqet nga parimi “lajmi shet“ në fokus nuk janë më individët, por përfitimet nga ana e mediave, qoftë në aspektin financiar, por edhe të klikimeve, vizibilitetit dhe njohjes. Në të njëjtën linjë është trajtuar rasti i foshnjës. Tituj bombastikë për të tërhequr vëmendjen e audiences. Shpesh herë këta tituj ishin totalisht sipërfaqësor dhe përmbajtja e tyre nuk kishte kuptim të ndahej me publikun. Mendoj që në shumë raste sensitive, përfshirë rastin aktual trajtimi nga ana e medias është aspak korrekt dhe me shkelje të forta të etikës.
Në rrjet filloi të qarkullonte një foto e cila tregonte një foshnjë të braktisur. Fotoja synonte të ndikonte emocionalisht tek audienca e ndjeshme ndaj këtyre rasteve.
Megjithatë pas një investigimi të shkurtër, duke përdorur mekanizmat që ofron “Google” për verifikim e imazheve, rezultoi se fotoja ishte shkrepur në 26 qershor të vitit 2018 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në fshatin Dededo. Në foto është një djalë i porsalindur i cili u braktis në pragun e një prej banesave të këtij fshati. Për më tepër, fotoja e foshnjës ishte publikuar e pacensuruar.
Kështu u shkelën dy kode të rëndësishme etike, cenimi i privatësisë të të miturve dhe publikimi i informacionit të pavërtetuar.
Psikologia Aliaj thekson se mbrotja e imazheve të fëmijëve është e përcaktuar me ligj. Duke qenë se ne si qenie njerëzore karakterizohemi nga nevoja për të marrë sa më shumë informacion, mediet “përfitojnë” për të rritur reagueshmërinë emocionale të publikut, gjykon Aliaj.
Psikologia Aliaj: Mbrojtja e identitetit është e përcaktuar me ligj dhe kjo merr një rëndësi akoma më të madhe në situata sensitive apo me foshnjat dhe fëmijët. Media publikoi jo vetëm imazhin jo real, por edhe një sërë detajesh të tjera të panevojshme. Fraza “ fytyrën ia kishin ngrënë minjtë“ ka qenë një nga përshkrimet e tmerrshme që më ka ndjekur gjatë. Ne si qenie njerëzore karakterizohemi nga nevoja për të marrë sa më shumë informacion dhe nga kurioziteti. Bazuar në këtë qasje, mediat publikojnë gjithnjë e më shumë detaje, me qëllim tërheqjen e vëmendjes së audiencës, por edhe për të rritur reagueshmërinë e tyre emocionale.
Pavarësisht se mediet ndodheshin përballë faktit që kishim të bënim me një të porsalindur dhe me një grua, e cila kishte braktisur foshnjën, por nuk kishte dhënë asnjë arsye “Pse”, filluan të publikonin artikuj me tituj nga më të dhimbshmit dhe me detaje drithëruse.
Tituj të tillë si “Minjtë i kishin ngrënë fytyrën dhe duart”, “Foshnja u gjet e mbështjellë me batanije mes plehrave”, “Njolla gjaku në vendin ku u gjet foshnja”, “pushtuan” mediat online.
Së pari, etika e kërkon që në rastet e ngjarjeve të rënda, media të mos sensacionalizojë vdekjen apo brutalitetin. (Neni 11 i Kodit të Etikës së Gazetarit Shqiptar). Në këtë rast, mediet nuk e respektuan këtë nen, duke ofruar detaje makabre të ngjarjes, përmes të cilave kërkonin të “thithnin” një numër sa më të lartë lexuesish.
Përdorimi i këtyre titujve solli një sërë pasojash, sipas psikologes, e cila thekson se ndikuan edhe në rritjen e gjuhës së urrejtes ndaj nënës. Në asnjë moment nga mediet nuk u përmend babai i foshnjës, i cili sigurisht që kishte dhe duhet të merrte përgjegjësi për ngjarjen, çka solli fuqizimin e steriotipeve gjinore në lidhje me prindërimin.
Psikologia Aliaj: Të ndash informacion dhe të përdorësh informacion për të bërë publicitet janë dy gjëra krejtësisht të ndryshme. Përdorimi i titujve aspak etikë, por edhe trajtimi i rastit ka ndikuar në formësimin e qëndrimeve të shoqërisë. Ky rast ka ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në:
-fuqizimin e steriotipeve gjinore në lidhje me prindërimin
-përgjegjësia mbi fëmijën iu atribuua plotësisht nënës
-gjykimin e vajzave dhe grave
-në asnjë moment nuk u përmend roli i babait të fëmijës
-gjuha e urrejtjes
-rasti u shoqërua me prani të lartë të gjuhës së urrejtjes ndaj nënës
Më pas mediat u kujdesën që të publikon identitetin e 30-vjeçares, edhe pse ky informacion nuk përbënte interes publik.
Raportimi në mënyrë joprefesionale me terma si “nëna braktisëse”, “zbulohet identiteti i nënës braktisëse”, “nëna nuk shfaq pendesë”, edhe pse 30-vjeçarja nuk kishte reaguar, krijuan hapësirë për gjuhë urrejtjeje.
Komentues të ndryshëm mallkonin 30-vjeçaren dhe i uronin vdekjen, pasojë e raportimit joetik në media.
Por a e menduan mediet se si do të ndikonin këto lajme në gjendjen emocionale të nënës dhe familjarëve të saj?
Psikologia Tana Aliaj thotë se te nëna është rritur ndjenja e fajit dhe turpit për shkak të gjykimit të opinionit publik. Kjo ndikon drejtpërdrejt në gjendjen e saj psikologjike duke sjellë edhe agravim të shëndetit mendor.
Psikologia Aliaj: Në shoqërinë tonë, ka një tendencë te lartë të paragjykimeve në vend të të kuptuarit dhe ofrimit mbështetje. Ne rastin aktual, edhe te nëna ka ndodhur e njëjta gjë. Nga pikëpamja psikologjike, kritikat e forta të opinionit publik kanë rritur ndjenjat e turpit dhe fajësimit tek nëna, të cilat janë shumë të pranishme. Kjo afekton negativisht gjendjen e rënduar psikologjike të nënës, duke agravuar shëndetin mendor.
Televizionet kombëtare nxituan që të merrnin dëshminë e 30-vjeçares dhe të zbulonin arsyen “Pse” ndodhi ngjarja e rëndë dhe “Pse” nëna braktisi foshnjën e saj.
Por në vend të kësaj, në portale u ndeshëm me lajme se si e reja ishte njohur me babanë e foshnjës dhe detaje nga jeta e tyre private.
As historia personale e dashurisë të 30-vjeçares nuk përbënte interes publik, por tërhiqte vëmendjen e audiencës, e cila është e interesuar për historitë “rozë”.
Më i rëndë ishte fakti që vëllai i 30-vjeçares e mësoi lajmin e braktisjes së foshnjës dhe arrestimit të motrës pikërisht nga mediet.
Sipas psikologes, kur një familjar e mëson një ngjarje të rëndë në mënyrë rastësore, shoku emocional që përjeton është shumë herë më i lartë. Teksa ndodhen përballë një raportimi jo korrekt, i cili sjell dhe dyshime mbi vërtetësisë e fakteve, familjarët përballen me një sfidë e cila dëmton mirëqenien e tyre psikologjike.
Psikologia Aliaj: Përballja me ngjarje të tilla është dyfish traumatike kur merret vesh në mënyrë rastësore. Kur anëtarët informohen nga media, shoku emocional që ata përballojnë është shumë herë më i lartë, sesa në rastet kur informaconi ndahet nga familjarët apo të afërmit, ku marredhëniet e suportit supozimisht janë më të larta.
Në rastet kur media e trajtoi rastin në mënyrë jo korrekte, “kryqëzoi“ nënën për veprimin, si dhe serviri pafund informacione për të cilat kemi dyshime për vërtetësinë, familjarët përballen me një tjetër sfidë të madhe që dëmton mirëqenien e tyre psikologjike. Nga ana tjetër, komentet e shumta negative, të agravuara në fyerje apo mallkime, si shprehje e revoltës të opinionit publik ndikojnë sërish negativisht tek familjarët teksa përballen për herë të parë në marrjen e lajmit nga media.
Në këtë rast media ka shkelur disa nene të Kodit të Etikës; ndërhyrja në jetën private, mbrojtja e fëmijëve, përgjegjësia para publikimit, marrëdhëniet me burimet.
Nevoja e gazetarisë për një kod etik ka qenë një nga shqetësimet më të hershme të gazetarisë në botë dhe asaj shqiptare.
Mediat kanë rol kyç në informimin e publikut dhe në formimin e opinionit, por kur etika shkelet, pasojat mund të jenë të ndjeshme.
Publikimi i lajmeve të pasakta, manipulimi i fakteve ose shpërndarja e lajmeve sensacionale për të rritur audiencën janë disa mënyra se si mediat mund të shkelin etikën e tyre.
Psikologia Aliaj ka disa këshilla në mënyrë që media t’i shërbejë misionit të saj.
Psikologia Aliaj: Në fakt mediat duhet të rikthejnë vëmendjen e tyre bazuar në disa parime:
-Si duhet të paraqitet informacioni në mënyrë që të mos dëmtojnë mirëqenien psikologjike të personave të përfshirë por edhe audiencës?
-Sa detaje duhet të ndahen?
-Kujt dhe si i shërben informacioni
Në të gjitha ngjarjet, media është e rëndësishme të përçojë mesazhe sensibiluzuese, si dhe të përfshijë opionionet e ekspertëve.
Nëse shkelja e etikës në media vazhdon, kjo mund të çojë në një rënie të theksuar të besueshmërisë së mediave, duke shkaktuar dëme të mëdha në shoqëri.
Është e rëndësishme që mediat të respektojnë standarde të larta etike, të jenë të përgjegjshme në raportimin e lajmeve dhe të ruajnë integritetin e tyre për të siguruar një informim të saktë dhe të besueshëm për publikun.